Abdixhiku: Të enjten përcaktojmë LDK-në, demokracia duhet të respektohet
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se ka thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë, pas kërkesës së delegatëve për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit.
Abdixhiku ka thënë se gjatë pesë viteve në krye të LDK-së, ky do të jetë Kuvendi i katërt i partisë, ndërsa ka theksuar se në tri raste më parë ka dalë vetë para anëtarësisë për të kërkuar besimin e saj.
Ai ka vlerësuar se një proces i tillë, i iniciuar vetëm me kërkesë për shkarkim, nuk ka ndodhur më parë në historinë 37-vjeçare të LDK-së duke e cilësuar Kuvendin si të panevojshëm, të pakohë dhe të pavend.
“E kam konsideruar këtë Kuvend të panevojshëm, të pakohë, të pavend. Si proces të njëanshëm e konsideroj të dëmshëm dhe përçarës. Jo për fatin tim individual, por për plagët që veçse ia ka lënë LDK-së”, ka shkruar Abdixhiku.
Megjithatë, ai ka thënë se e respekton demokracinë dhe se do të përballet me këtë proces duke shprehur pritjen që edhe të tjerët ta respektojnë vendimin e anëtarësisë pas Kuvendit.
Abdixhiku ka bërë thirrje për delegatët e LDK-së që të qëndrojnë dhe të marrin pjesë në këtë proces duke thënë se Kuvendi mund t’i japë partisë qartësinë e nevojshme për të ardhmen.
“Qëndroni, sepse, ndonëse ky nuk është Kuvendi që kam kërkuar, ai mund të bëhet Kuvendi që i jep LDK-së atë që i ka munguar më së shumti, qartësinë”, ka deklaruar ai.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së do të mbahet të enjten, më 30 korrik, ku pritet të diskutohet e ardhmja e drejtimit të partisë. /Kosova.info/
