Dyshohet se anëtari i komisionit fshehu fletëvotime, kërkohet paraburgim
Prokuroria Themelore në Prizren njofton opinionin publik se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një të pandehuri për kryerjen e veprës penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit” nga neni 217 par.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas dyshimeve të bazuara që rezultojnë nga hetimet e deritanishme, më 07.06.2026, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare për Kuvendin e Republikës së Kosovës, në qendrën e votimit të vendosur në shkollën “Sharr” në fshatin Jabllanicë të Prizrenit, i pandehuri A.D., në cilësinë e anëtarit të komisionit zgjedhor, me qëllim të pengimit të zhvillimit të rregullt të procesit zgjedhor dhe cenimit të shprehjes së lirë të vullnetit të qytetarëve, ka marrë dhe fshehur gjashtë (6) fletëvotime të paplotësuara, të cilat paraprakisht i kishte shkëputur nga blloku i fletëvotimeve.
Prokuroria Themelore në Prizren mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe në trajtimin me prioritet të të gjitha rasteve që cenojnë vullnetin e lirë të qytetarëve dhe funksionimin demokratik të institucioneve. Në bashkëpunim me organet e zbatimit të ligjit, do të vazhdojë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore dhe procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi. /Kosova.info/
