Gashi: Kosova nuk ndërtohet mbi kontradikta – vendit i duhen zgjedhje që sjellin stabilitet, jo kaos

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si, sipas tij, po menaxhohet procesi politik në vend gjatë muajve të fundit, duke theksuar se Kosova nuk mund të ndërtohet mbi “kontradikta, lojëra force dhe rrëfime që ndryshojnë çdo javë”.

Gashi ka kujtuar se për tetë muaj rresht qytetarëve iu tha se votat për qeverinë ishin të sigurta dhe se duhej vetëm të zgjidhej Kryetari i Kuvendit. Por, sipas tij, kur erdhi momenti për Qeverinë Kurti 3, kjo logjikë u rrëzua dhe narrativi u kthye në kërkesë për zgjedhje. “Pas pak ditësh, u kthyen prapë: ‘I kemi votat, por vetëm për Konjufcën. S’duam koalicion, s’duam marrëveshje.’ Dhe kur dështoi Konjufca, fajin e kërkuan tek të tjerët,” u shpreh Gashi.

Ai pyeti se si mund të jetë e vërtetë njëkohësisht një politikë e bazuar në versione të kundërta që ndryshojnë çdo javë, duke theksuar se pasojat për vendin janë të rënda. Sipas tij, Kosova ka humbur qindra milionë euro nga donacionet e marrëveshjet ndërkombëtare, është përballur me sanksione politike e ekonomike dhe ka hyrë në një fazë stagnimi ekonomik me perspektivë të zbehur.

Në prag të një fushate të re zgjedhore, deputeti i LDK-së paralajmëroi se vendi po rrezikon të rikthehet në një klimë të polarizimit ekstrem, ku logjika e “ose i fitojmë të gjitha, ose i humbim të gjitha” dëmton proceset demokratike.

“Kosova ka nevojë për mençuri, përgjegjësi dhe kthjelltësi. Ka nevojë për zgjedhje që i japin fund kaosit, jo që e thellojnë atë,” deklaroi ai.

Gashi bëri thirrje për një fushatë të matur, me energji për rikthimin e normalitetit të vendit. “Kosova meriton më shumë se improvizime politike. Meriton drejtim të qartë dhe përgjegjësi të vërtetë,” përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP