Gashi: Koha e koalicioneve pa parime duhet të marrë fund – kush fiton, qeveris; kush humb, shkon në opozitë me dinjitet

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka theksuar se para se vendi të shkojë në zgjedhje, partitë politike duhet të bien dakord për disa parime themelore që i japin kuptim politikës dhe garantojnë stabilitetin e shtetit.

Sipas tij, partia e parë e dalë nga zgjedhjet duhet të veprojë me dinjitet dhe të ndërtojë partneritet, jo vasalitet. “Politika nuk është garë për nënshtrim, por për besim, qëndrueshmëri dhe përgjegjësi”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka kërkuar që të përfundojë epoka e koalicioneve të partive të mëdha me subjekte pa program, pa ideologji dhe pa të kaluar të përbashkët duke theksuar se koha kur partitë e vogla i diktonin kryeministrin partisë fituese duhet të marrë fund.

Në rast se partia e parë nuk arrin të formojë shumicën, Gashi ka propozuar që partitë e tjera të ofrojnë alternativë qeverisëse brenda një afati të shkurtër, përndryshe vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Ai ka paralajmëruar se bllokadat politike, si ajo aktuale që ka zgjatur gati një vit, janë të rrezikshme për shtetin, demokracinë dhe vetë politikën.

Deputeti i LDK-së ka shtuar se qeverisja duhet të mbështetet mbi vlera, stabilitet dhe përfaqësim real, jo mbi kalkulime elektorale afatshkurtra. Ai ka propozuar që me ligj të ndalohet çdo vendim me efekt elektoral gjatë tre muajve të fundit të mandatit qeverisës.

“Qeveritë duhet të punojnë me përgjegjësi gjatë gjithë mandatit, jo të presin fundin për të rritur paga e përfitime për qëllime elektorale”, ka theksuar Gashi.

Në përfundim, ai ka theksuar se LDK ka qenë dhe duhet të mbetet garant i këtyre standardeve politike. “Vendi nuk udhëhiqet me inat, por me vizion. Nuk udhëhiqet me frikë, por me besim”, ka përfunduar Arben Gashi. /Kosova.info/

Go to TOP