Gashi: Eliot Engel, mik i përjetshëm i Kosovës
Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së me numër 31, Xhafer Gashi, ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore të organizuar në Kuvendin Komunal të Vitisë, kushtuar ish-kongresistit amerikan Eliot Engel.
Gashi u shpreh se ndjehet i nderuar që ishte pjesë e këtij aktiviteti duke e vlerësuar lartë figurën dhe kontributin e Engel për popullin shqiptar dhe për Kosovën në veçanti. Sipas tij, Engel ishte një mik i madh dhe përkrahës i palëkundur i Kosovës në periudhat më të vështira të historisë së saj.
“Na bashkoi kauza për drejtësi dhe liri, ndaj emri dhe kontributi i tij do të kujtohen gjithmonë me respekt dhe mirënjohje të thellë”, ka theksuar Gashi.
Ai gjithashtu falënderoi Komunën e Vitisë për mikpritjen dhe organizimin dinjitoz të kësaj akademie përkujtimore. /Kosova.info/
