Muriqi me mesazh emocional për tifozët: Mallorca do të ringrihet

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, vjen me një mesazh emocional drejtuar tifozëve të Mallorca-s, pas një periudhe të vështirë për klubin.

Mallorca tashmë ka rënë nga elita e futbollit spanjoll.

Muriqi ka theksuar ndjenjën e përbashkët të dhimbjes dhe zhgënjimit mes lojtarëve dhe tifozëve, duke vënë në pah lidhjen e fortë që është krijuar gjatë sezonit.

“Fjalët sot kanë peshë të veçantë, sepse dhimbjen dhe trishtimin që po e ndjeni ju, po e ndjej edhe unë thellë në zemër,” është shprehur as-i dardan.

Ai ka shtuar se skuadra ka kaluar një sezon me shumë ulje-ngritje, por gjithmonë ka mbajtur besimin dhe unitetin brenda grupit.

Muriqi ka vlerësuar gjithashtu mbështetjen e tifozëve, duke theksuar se ajo i ka dhënë forcë në çdo ndeshje të zhvilluar me fanellën e Mallorcës.

Duke folur për të ardhmen e klubit, sulmuesi kosovar është shprehur optimist se Mallorca do të rikthehet në nivelet që meriton, pavarësisht vështirësive aktuale.

“Futbolli ndonjëherë është i pamëshirshëm, por kush e njeh shpirtin e Mallorcës e di se ky klub gjithmonë di të ringrihet. Besoj në këtë me gjithë zemër,” ka deklaruar ai.

Në përmbyllje, Muriqi ka theksuar se historia e klubit spanjoll nuk është shkruar kurrë me dorëzim dhe se e ardhmja do të sjellë rikthimin e suksesit.


Go to TOP