Fundjavë me diell dhe kushte ideale për mbjelljet vjeshtore: Fermerët të shfrytëzojnë dritaren optimale të motit
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, gjatë kësaj fundjave pritet të mbajë mot i qetë dhe kryesisht me diell duke krijuar kushte shumë të favorshme për zhvillimin e punëve bujqësore në terren. Të shtunën, vranësira të shpërndara do të shfaqen kryesisht mbi relievin kodrinore-malor, ndërsa temperaturat minimale do të sillen nga -2 deri në 0°C. Orët e ditës do të jenë më të ngrohta, me temperaturat maksimale që parashihen të arrijnë nga 12 deri në 16°C. Erërat do të fryjnë lehtë deri mesatarisht nga veriperëndimi.
Të dielën, moti pritet të jetë i ngjashëm, me stabilitet të përgjithshëm atmosferik. Temperaturat minimale do të variojnë prej -1 deri në 1°C, ndërsa ato maksimale nga 14 deri në 17°C. Erërat do të jenë të lehta, me drejtim nga verilindja dhe shpejtësi 1–3 m/s.
Kushtet agrometeorologjike për këtë fundjavë vlerësohen tejet të përshtatshme për punë bujqësore, sidomos për mbjelljet vjeshtore. Struktura aktuale e tokës dhe lagështia e moderuar konsiderohen optimale për garantimin e mbirjes së rregullt dhe zhvillimit të shëndetshëm të kulturave. Ekspertët rekomandojnë që fermerët të intensifikojnë aktivitetet e tyre gjatë këtyre dy ditëve, pasi fundjava përfaqëson një dritare të vlefshme për përfundimin e mbjelljeve.
Parashikimet sinoptike sugjerojnë se nga java e ardhshme priten reshje shiu me intensitet të ndryshueshëm, të cilat mund të vështirësojnë qasjen në parcela dhe të vonojnë procesin e mbjelljes. Për këtë arsye, këshillohet që punimet të mos shtyhen, në mënyrë që të sigurohet respektimi i afateve optimale dhe performanca më e mirë e kulturave gjatë ciklit vegjetativ. /Kosova.info/
