‘FEST 3’ me 6 trofe, ‘Okarina e Artë’ nderim për vepër jetësore

Edicioni i tretë i Festivalit të Këngës sivjet do t’i ketë gjashtë çmime, duke rrumbullakuar kështu trofetë e këtij viti të ngjarjes.

Veçantia e këtij edicioni do të jetë përfshirja e çmimit për vepër jetësore, “Okarina e Artë” e cila do t’i dedikohet një figure që ka dhënë kontribut ndër gjenerata në aspektin muzikor.  

“Këtë vit janë edhe dy çmime të reja, që ka qenë sfiduese. Njëra nga to është ‘Okarina e Artë’, një çmim i bukur dhe i çmueshëm të cilën e dimë nga ‘Akordet e Kosovës’, një filigran i punuar nga Bashkim Tejeci…Unë kam ardhur me një ide të re, okarina është pjesë e statuse por janë edhe disa detaje të reja që janë efikase”, ka thënë Zana Ramadani, autorja e skicave të trofeve për edicionin e tretë të Festivalit të Këngës.

Ramadani ka thënë se po tenton të sjellë diçka në mes të thjeshtësisë e modernitetit.

“Skicat janë përzgjedhur, jam në proces të realizimit”, ka thënë Ramadani në një intervistë për Radio Kosovën. Ajo ka treguar se kontribut për çmimin për vepër jetësore ka dhënë djali i artistit të njohur, Shaqir Hotit, Valdeti.

Në anën tjetër diçka ndryshe do të sjellë edhe çmimi i orkestrës të cilën do ta ndajë Orkestra e Festivalit të Këngës, “Çelësi i Violinës”. Sivjet ky çmim do të ruajë pamjen e njëjtë si në edicionet e kaluara, duke lidhur traditën me inovacionin e këtij viti.

‘FEST 3’ do të ndajë edhe tre çmimet e para, teksa trofeu i fituesit të edicionit ka ndërruar tërësisht imazh.

“Shpërblimi i fituesit është ndërruar, vjen krejt me një skicë dhe fushë tjetër të materialeve. Edhe vendi i dytë dhe i tretë ka ndërruar, por është futur edhe çmimi i tekstshkruesit”, ka thënë ajo.

Përgatitjet për Festivalin e Këngës janë në fazën finale. Një program maratonik televiziv i pret gjithë shikuesit e RTK-së përgjatë tri netëve të edicionit të tretë të ngjarjes. Ndërkaq edhe rezervimet e biletave për të përcjellë nga afër netët e spektaklit kanë nisur. 6, 7 dhe 8 nëntor janë datat e festës muzikore në Prishtinë. 20 artistë sivjet me zërat e tyre janë në garë për çmimet e para.


Go to TOP