Fatos Azemi pranon rezultatin: Nuk arrita një ulëse, por kontributi im për Prishtinën do të vazhdojë
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për Asamblenë Komunale të Prishtinës, Fatos Azemi, ka reaguar pas numërimit të më shumë se gjysmës së votave në kryeqytet, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe besimin e treguar gjatë fushatës.
Në një postim publik, Azemi ka theksuar se kjo ishte përvoja e tij e parë si kandidat dhe se fushata i ka dhënë mundësinë të takohet me shumë qytetarë të rinj të Prishtinës.
“Pavarësisht pritshmërive, këtë herë nuk arrita të siguroj një ulëse në Asamblenë e Prishtinës. Megjithatë, kontributi im për Kryeqytetin nuk ndalet këtu – ai do të vazhdojë në forma të tjera, ashtu siç kam bërë gjatë gjithë këtyre viteve të jetës sime profesionale,” ka shkruar ai.
Azemi shtoi se e di që për AAK-në në Prishtinë ka qenë më e vështirë të sigurohen vota, por shprehu besim se bashkëpunimi me qytetarët do të vazhdojë edhe më tej.
“Faleminderit nga zemra për çdo fjalë të mirë, për çdo takim e për çdo votë,” përfundon mesazhin e tij kandidati i AAK-së./Kosova.info/
