Fanaj: LDK në Prizren në gjendje alarmante, kërkohet rithemelim i menjëhershëm dhe largimi i Selmanajt
Salajdin Fanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Prizren ka reaguar ashpër ndaj gjendjes së degës së partisë në këtë komunë duke e cilësuar situatën si “alarmante” dhe duke kërkuar rithemelim të plotë të strukturave lokale.
Sipas Fanajt, humbjet e rënda të LDK-së në dy palë zgjedhje, nacionale dhe lokale, brenda një viti, dëshmojnë se dega e Prizrenit është “shkatërruar në themel”. Ai e konsideron këtë si pasojë direkte të një udhëheqjeje të dështuar, me në krye Driton Selmanajn, të cilin e përshkruan si figurë pa peshë politike dhe të rrethuar nga servilë, të paaftë për të marrë përgjegjësi politike apo për të dhënë dorëheqje.
Fanaj akuzon Selmanajn se vazhdon të shpërblejë rrethin e tij të ngushtë me pozita drejtuese në një koalicion lokal që, sipas tij, nuk ka legjitimitet duke mbyllur sytë para vjedhjes dhe blerjes së votës. Ai shton se kjo qasje e ka çuar LDK-në e Prizrenit në një gjendje ku “mezi mund të quhet parti”.
Në reagimin e tij, Fanaj kërkon rithemelim urgjent të LDK-së në Prizren duke theksuar se ky proces nuk mund të ndodhë me strukturat aktuale. Ai bën thirrje për largimin e, siç i quan, blerësve të votave dhe servilëve, dhe për ndërtimin e një lidershipi të ri me njerëz të ndershëm, autoritativë dhe me integritet moral e politik, që u hapin rrugë të rinjve dhe rikthejnë besimin e qytetarëve.
Në fund, Fanaj fton anëtarët dhe simpatizantët që e duan LDK-në në Prizren të reagojnë pa vonesë, ndërsa lidershipit qendror në Prishtinë i bën thirrje për ndërhyrje të menjëhershme duke paralajmëruar se heshtja, sipas tij, në këtë rast përbën bashkëfajësi. /Kosova.info/
