Familja Humolli ruan kujtimin e dëshmorëve të rinj të Kosovës
Përmes fotografive dhe rrëfimeve, familja Humolli shpalos dhimbjen dhe krenarinë e saj. Muzeu i shtëpisë, i cili çdo vit hap dyert në kujtim të motrës së rënë dëshmore, ruan kujtimin e Ylfete Humollit, e cila në moshë të re ra duke kundërshtuar regjimin e Serbisë.
Motrën 16-vjeçare, e rënë dëshmore në rezistencë ndaj regjimit serb, vëllai Arianiti nuk e pati fatin ta njohë. Përmes rrëfimeve të nënës dhe familjarëve të tjerë, ai shpalos detaje me krenari. Në përvjetorin e rënies së Ylfetës, dhimbja dhe krenaria bëhen bashkë, ashtu si edhe për vëllanë tjetër, Mentorin, i cili po ashtu ra dëshmor në Koshare.
“Unë kam lindur pothuajse dy vjet pas rënies së Ylfetës. Ashtu siç e paraqesin personalitetin e saj familjarët dhe nëna, Ylfetja në atë kohë ka qenë 16-vjeçare dhe, kur ka ardhur koha për t’iu bashkuar protestave për liri, babai ka qenë i burgosur politik dhe na ka thënë se duhet pyetur xhaxhai i madh për t’iu bashkuar protestave. Ylfetja është deklaruar se për liri nuk pyetet as babai e as xhaxhai; domethënë, është në pyetje vullneti dhe shpirti yt”, deklaroi Arianit Humolli vëllai i Ylfetës dhe Mentor Humollit.
Përvjetorët në shtëpinë e familjes Humolli shënojnë lavdinë dhe sakrificën e të rënëve. Arianiti dhe familjarët hapin dyert me krenari, duke theksuar se e gjithë sakrifica u është dedikuar lirisë së Kosovës.
“Kontributi për atdheun ka qenë pjesë e vetëdijes së familjes. Ne s’kemi qenë vetë-mohues kur ka thirrur atdheu dhe në asnjë moment nuk është diskutuar. Pavarësisht se humbja për anëtarët e familjes është e ndjeshme dhe e dhimbshme, më e madhe është krenaria dhe ndjenja që sot e gëzojmë, që flijimi i tyre është bërë për liri dhe ne, të gjallët, jetojmë sot të lirë”, tha Arianiti.
Për hir të Ylfetës dhe Mentor Humollit, të rënë për lirinë e vendit, Arianiti thotë se bart përgjegjësinë për të dhënë kontributin e tij ndaj atdheut, duke e vazhduar trashëgiminë e sakrificës familjare.
