Escobar sot viziton Kosovën

Emisari special i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Gabriel Escobar sot do të vizitojë Kosovën.

Në kuadër të intensifikimit të dialogut, diplomati amerikan sot në orën 08:45 do të takohet me presidenten Vjosa Osmani. Pas takimit do të ketë edhe deklaratë për media. Përveç liderëve institucionalë, Escobar do të takohet edhe me përfaqësuesit e partive opozitare, raporton RTKlive.

Detaje të tjera për këtë vizitë nuk janë dhënë, megjithëse është hera e dytë brenda disa javësh, që amerikani Escobar takon partitë opozitare.

Herën e kaluar në Kosovë, Escobar ka qenë së bashku me evropianin Miroslav Lajçak. E ky i fundit javën e kaluar ka qëndruar në Prishtinë, ndërsa dje ka vizituar Beogradin. Në dy takimet me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksander Vuçiq, Lajçak ka thënë se temë boshte e diskutimit kanë qenë targat dhe energjia.

Ndryshe, javëve të fundit janë intensifikuar përpjekjet e liderëve botëror sa i përket bisedimeve Kosovë –Serbi.

I fundit ishte sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili bisedoi përmes telefonit me kryeministrin Kurti dhe me presidentin Vuçiq. E në këtë proces janë angazhuar edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, të cilët kanë dhënë një propozim për marrëveshjen dypalëshe.

Go to TOP