Ermal Sadiku falënderon mbi 27 mijë votues: Besimi juaj është nder dhe përgjegjësi e madhe

Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e marrë në zgjedhjet e fundit duke bërë të ditur se ka arritur të sigurojë mbi 27 mijë vota, krahasuar me 17 mijë sa kishte fituar në zgjedhjet e kaluara.

Përmes një reagimi publik, Sadiku theksoi se vota nuk është vetëm një numër, por një besim dhe përgjegjësi e madhe ndaj qytetarëve.

“Nuk e di nëse ekzistojnë fjalët e duhura për ta shprehur mirënjohjen që ndiej. Sepse vota nuk është vetëm një numër. Vota është besim. Është përgjegjësi. Është nder”, ka shkruar ai.

Sadiku u shpreh falënderues ndaj të gjithë atyre që e kanë mbështetur që nga fillimi, si dhe ndaj qytetarëve që iu bashkuan gjatë rrugëtimit politik.

Ai theksoi se secila votë përfaqëson një histori, një familje dhe një shpresë për një Kosovë më të mirë duke e cilësuar besimin e dhënë nga dhjetëra mijëra qytetarë si një nga nderet më të mëdha të jetës së tij.

Deputeti i LDK-së premtoi se nuk do ta marrë asnjë votë si të mirëqenë dhe se do të vazhdojë të jetë i qasshëm, transparent dhe i përkushtuar në shërbim të qytetarëve.

“Ky rezultat nuk më bën më të madh. Përkundrazi, më bën më të vetëdijshëm për barrën dhe përgjegjësinë që mbaj mbi supe”, u shpreh Sadiku duke shtuar se do të punojë çdo ditë për ta merituar besimin e qytetarëve. /Kosova.info/

Go to TOP