Ekzekutohen pjesërisht pagat e punëtorëve në “Prishtina Parking”, ndërpritet protesta
Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” ka njoftuar se pagat e punëtorëve do të ekzekutohen pjesërisht gjatë ditës së sotme, ndërsa pjesa e mbetur do të paguhet në ditët në vijim.
Në një komunikatë për media, ndërmarrja ka bërë të ditur se pas vendimit të Gjykatës Supreme për shfuqizimin e pjesshëm të Rregullores për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve, ajo ka rifilluar operimin e rregullt më 10 shtator 2025, duke vazhduar ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Sipas njoftimit, pezullimi i aktivitetit për një periudhë të caktuar ka ndikuar drejtpërdrejt në gjendjen financiare të ndërmarrjes, duke vështirësuar realizimin e të hyrave dhe duke krijuar obligime financiare.
“Për shkak të kësaj situate, ka pasur vonesë në ekzekutimin e pagave të punëtorëve. Megjithatë, ju njoftojmë se pagat e punëtorëve të Ndërmarrjes do të ekzekutohen pjesërisht gjatë ditës së sotme. Ndërsa, pjesa e mbetur do të ekzekutohet gjatë ditëve në vijim”, thuhet në komunikatë.
“Prishtina Parking” thekson se mbetet e përkushtuar në stabilizimin e gjendjes financiare dhe në vazhdimin e ofrimit të shërbimeve cilësore për qytetarët.
Ky njoftim vjen pasi më herët gjatë ditës punëtorët e ndërmarrjes protestuan për shkak të vonesës së pagave, ndërsa Sindikata e Punëtorëve bëri të ditur se, pas arritjes së një dakordimi dhe ekzekutimit të pagave, protesta është ndërprerë.
Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve, Flamur Hajdari tha se është ndërprerë protesta e punëtorëve të ndërmarrjes “Prishtina Parking”, pasi janë ekzekutuar në tërësi pagat.
Hajdari tha se pagesat janë realizuar pas dakordimit të arritur ndërmjet palëve, duke bërë të ditur se me përmbushjen e këtij obligimi protesta ka përfunduar.
“Si kryetar i Sindikatës, ju njoftoj se pas dakordimit të arritur ndërmjet palëve, pagat janë ekzekutuar në tërësi. Me përmbushjen e këtij obligimi, protesta ka përfunduar”, thuhet në deklaratën e tij.
Punëtorët e “Prishtina Parking” protestuan sot gjatë ditës, duke kërkuar ekzekutimin e pagës së muajit qershor dhe të 70 për qind të një pagese të mbetur nga viti 2025.
