Basha inspekton rrugën Mitrovicë–Jarinjë dhe Urën e Leshakut
Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, vizitoi sot veriun e vendit, ku inspektoi nga afër gjendjen e rrugës Mitrovicë–Jarinjë dhe vizitoi edhe Urën e Leshakut.
“Rruga drejt Jarinjës i është nënshtruar sanimeve, por duke marrë parasysh rëndësinë që ka për banorët dhe sigurinë publike, planifikojmë që gjatë vitit të ardhshëm ta rehabilitojmë dhe ta zgjerojmë aty ku e lejojnë kushtet teknike”, tha Basha.
Po ashtu, Basha theksoi se “njëkohësisht vizitova edhe Urën e Leshakut, e cila ka pësuar dëme të mëdha nga vërshimet dhe paraqet rrezik për qëndrueshmërinë e saj”.
“Për këtë arsye, do të diskutojmë me projektuesit për ndërtimin e një ure të re, e cila do të ofrojë qasje më të mirë dhe siguri më të madhe për banorët e asaj zone”, shtoi ai.
“Në Jarinjë u ndala edhe për t’i përshëndetur zyrtarët tanë kufitarë. Me këtë rast, i falënderova për shërbimin profesional, përkushtimin dhe punën e palodhshme që bëjnë. Qeveria Kurti ka investuar shumë në sigurinë e veriut, ndërsa tani po investojmë edhe në infrastrukturë. Sepse për ne, Kosova është një dhe e pandarë – si në siguri, ashtu edhe në investime”, ka shkruar ai në Facebook.
