Elshani: Lagjja “Muharrem Fejza” bëhet me terren të ri sportiv multifunksional

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, ka njoftuar se shumë shpejt në lagjen “Muharrem Fejza” do të nisë realizimi i një terreni të ri sportiv multifunksional në ambientet e shkollës “Pavarësia”.

Elshani bëri të ditur se, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Sportit, Granit Geci, vizituan shkollën për të parë nga afër gjendjen e hapësirës ku do të ndërtohet terreni i ri.

“Çdo lagje meriton një shkollë të mirë. E çdo fëmijë meriton hapësira ku ata mund të mësojnë, të luajnë dhe të merren me sport”, ka shkruar Elshani.

Sipas tij, projekti do t’u krijojë nxënësve të lagjes një hapësirë moderne për aktivitete sportive dhe rekreative, e cila do të jetë në dispozicion edhe gjatë orëve të mbrëmjes duke përmirësuar kushtet për zhvillimin e sportit dhe jetës aktive në komunitet. /Kosova.info/


Go to TOP