Ekskluzive: Dokumenti i Kosovës që arsyeton aplikimin për anëtarësim në BE
Me 15 dhjetor, Republika e Kosovës edhe zyrtarisht pritet të dorëzojë në Bruksel, aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për këtë çështje, atje po qëndron Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
Ende nuk dihet se si do të procedohet me aplikimin e Kosovës, pasi shteti nuk njihet nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, përkatësisht Spanja, Qipro, Greqia, Sllovakia e Rumania.
Madje, se si do të procedohet me aplikimin e Kosovës, nuk kanë njohuri tash për tash as zyrtarët e BE-së, kur janë pyetur në lidhje me këtë çështje, duke thënë se do të sqarohet më vonë.
Sidoqoftë, kjo pjesë mbetet punë e BE-së, ndërkohë që Kosova pritet të kryejë obligimin e saj, duke qenë se vendi konsideron se ka përmbushur detyrat përkatëse, që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim më 27 tetor 2015, në Strasburg.

Por si e ka arsyetuar Kosova aplikimin e saj?
RTKlive ka siguruar dokumentin zyrtar që arsyeton aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, i hartuar në nëntor 2022, pjesë të të cilit ka vendosur t’i publikojë.
Dokumenti fillon me një rezyme të rrugës së Kosovës të nisur gati dy dekada pasi Këshilli Evropian në Selanik, premtoi perspektivë evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Aty tregohet se nga ajo kohë, Kosova mbetet i vetmi vend që ende nuk ka aplikuar për anëtarësim në BE.
“Pavarësisht kësaj, anëtarësimi në BE mbetet një objektiv strategjik për vendin, siç dëshmohet nga angazhimi i fortë i qeverisë për të ndërmarrë reforma kyçe si pjesë e Agjendës së Reformës Evropiane”, shkruan në këtë dokument.
Më tej shkruan se ekziston një konsensus i gjerë në të gjithë spektrin politik dhe qytetarët, në favor të anëtarësimit të Kosovës në BE, e që bazuar në sondazhet rajonale, ato tregojnë nivelin më të lartë të mbështetjes nga popullata e përgjithshme që është në 94% pro.
“Prandaj, koha jo vetëm që është e përshtatshme për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, por ky hap ilustron vullnetin e fortë të qytetarëve tanë dhe shërben si një manifestim i qartë i përkushtimit të palëkundur të institucioneve të Kosovës në rrugën euroatlantike”.
Kosova në rrugën e integrimeve, e fundit në rajon
Kosova në këtë dokument rikujton se në Samitin e Selanikut në vitin 2003, liderët e BE-së morën vendimin strategjik për t’u ofruar vendeve të Ballkanit Perëndimor, anëtarësimin në BE brenda një afati kohor të caktuar, për sa kohë që ato do të ndërmerrnin reforma politike dhe ekonomike.
“Pyetja në atë kohë nuk ishte më se çfarë duhet bërë me Ballkanin, por më tepër se clat janë mjetet e duhura të politikave që Ballkani të arrijë pjesën tjetër të Evropës dhe të futet në union?”, rikujtohet në këtë dokument, qëndrimi i BE-së i para njëzet viteve.
“Sot, vetëm Kroacia është anëtarësuar me sukses në BE, katër vende të tjera kanë hapur zyrtarisht negociatat e anëtarësimit, një është në pritje të statusit të kandidatit dhe Kosova mbetet më e largëta në proces”.
Kosova në këtë dokument, përmend se pavarësisht këtyre fakteve, integrimi i plotë në strukturat euroatlantike është aspirata më e madhe dhe objektivi strategjik politik i Kosovës.
“Ndërsa BE-ja është kryesisht një ombrellë politike dhe ekonomike, ajo shërben gjithashtu si një referencë socio-kulturore për shoqërinë tonë”.
Më tej në dokument theksohet se qëllimi strategjik i Kosovës, mbështetet nga dëshira e fortë dhe evidente e popullit të Kosovës për t’iu bashkuar familjes evropiane, duke përfaqësuar demonstrimin përfundimtar të vlerave të përbashkëta euroatlantike.
“Përkushtimi i Kosovës për anëtarësim në BE pasqyron besimin e plotë në BE si një projekt paqeje që mishëron vlerat demokratike, paqen e qëndrueshme dhe prosperitetin ekonomik”.
Zyrtarisht rruga e integrimit për Kosovën, nisi 7 vjet më parë
Në këtë arsyetim të Kosovës për aplikim për anëtarësim në BE, shkruan se për vendin, në veçanti, vlerësimi për themelet e BE-së është i rrënjosur në historinë e dhimbshme të popullit, gjatë viteve 1990, kohë e cila u dëmtua nga diskriminimi, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe lufta.
“Marrëveshja e Stabilizim Asociimit BE-Kosovë (MSA), në fuqi që nga prilli 2016, përbën marrëdhënien më të rëndësishme kontraktuale ndërmjet BE-së dhe Kosovës”, shkruan në këtë dokument prej katër faqesh, raporton RTKlive.
“Është një marrëveshje gjithëpërfshirëse që ofron një kornizë për dialogun politik dhe mbulon bashkëpunimin në të gjithë sektorët më vitalë për mirëqenien e një shteti, që përfshin drejtësinë dhe punët e brendshme, tregtinë, arsimin, punësimin, energjinë, mjedisin dhe një sërë politikash të tjera.
“Përgjatë viteve, qeveritë e njëpasnjëshme të Kosovës kanë treguar vazhdimisht vullnet politik për të zbatuar obligimet që dalin nga marrëveshja dhe kanë përmirësuar ndjeshëm cilësinë e politikave, duke dëshmuar njëkohësisht se Kosova është e aftë të zbatojë kriteret e BE-së”.
Përparimet e Kosovës.

Përparimet e Kosovës
Kosova në këtë dokument rikujton se së fundmi, raporti i Komisionit Evropian për vitin 2022 thotë se Kosova ka shtuar përpjekjet e saj për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit, për të luftuar korrupsionin dhe për të intensifikuar aktivitetet legjislative.
Aty shkruan se i njëjti raport lavdëron Kosovën për forcimin e kapaciteteve për koordinimin e zbatimit të MSA-së.
“Kosova është një shembull pozitiv në rajon që tregon progres të fuqishëm sipas treguesve që matin sundimin e ligjit; lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; transparencë; qeverisje e mirë; dhe respektimin e të drejtave të njeriut”, citohen në këtë dokument, pjesë të raportit të Komisionit Evropian.
Në dokument nënvizohet se orientimi i Kosovës ndoshta ilustrohet më së miri nga renditja e vendit nga Projekti Botëror për Drejtësi si e dyta në mesin e reformatorëve kryesorë globalë.
“Indeksi i Transparency International ka rritur renditjen e Kosovës për 17 vende, gjë që e bën Kosovën vendin me pikët më të larta në rajon”.
Në dokument shkruan se Kosova gjithashtu u ngjit me 17 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit të “Reporterëve pa Kufij”.
“Kosova vazhdon të demonstrojë përkushtimin e saj të patundur ndaj vlerave evropiane dhe reformat e vështira, por të nevojshme”.
Në dokumentin e Kosovës shkruan më tej se derisa mund të nevojiten reforma të mëtejshme, ato mund të arrihen më së miri si pjesë e një vizioni të qartë për të ardhmen dhe një procesi të prekshëm pranimi në BE.
“Ecja përpara me statusin e kandidatit për Kosovën do të demonstronte gjithashtu përkushtimin e BE-së për multietnicitetin, përparimin demokratik dhe përfshirjen e vlerave evropiane në Ballkanin Perëndimor”, shkruan në dokument.

Kosova, shembull i të drejtave për pakicat
Më tej theksohet se meqenëse populli i Kosovës ka demonstruar qartë mbështetjen e tij të palëkundur për rrugën dhe reformat në BE, ata meritojnë si këmbim, një përkushtim më të shtuar.
“Hapja e rrugës për statusin e kandidatit për Kosovën do të ishte konfirmim i qartë nga BE-ja se përpjekjet e Kosovës janë të njohura dukshëm dhe të drejtuara drejt prosperitetit, sundimit të ligjit dhe demokracisë së Ballkanit Perëndimor – veçanërisht tani përballë përçarjes së paprecedentë globale të shkaktuar nga Lufta e Rusisë kundër Ukrainës”.
Përvec shumë të tjerave, në dokument përmendet edhe fakti se Kosova ka treguar përkushtimin e saj për zbatimin e standardeve më të larta të të drejtave të njeriut, duke zbatuar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, siç është paraparë në Kushtetutë.
Gjithashtu, Kosova garanton përfaqësimin e pakicave, të drejta të sanksionuara me Kushtetutë, në të gjitha nivelet e qeverisjes.
“Nga 120 vende në parlament, 20 vende janë të rezervuara për komunitetet joshumicë, prej të cilave 10 janë për komunitetin etnik serb”, rikujton Kosova në dokument të drejtat e minoriteteve.
“Ndryshimet në kushtetutë dhe ligjet thelbësore kërkojnë një “shumicë të dyfishtë” të Kuvendit, që do të thotë dy të tretat e përfaqësuesve shqiptarë dhe joshqiptarë”.
Për më tepër, në dokument shkruan se Kosova ka miratuar si gjuhë zyrtare shqipen dhe serbishten dhe ka dhjetë komuna ku serbët etnikë janë komuniteti shumicë.
“Këto, në mesin e shumë aranzhimeve të tjera dalluese, do të thotë se Kushtetuta e Kosovës ofron ndër garancitë më të avancuara të të drejtave të pakicave që ekzistojnë aktualisht në kontinentin evropian”.
Marrëveshje Kosovë-Serbi me njohje reciproke
Qeveria e Kosovës deklaron se është e përkushtuar seriozisht për kontributin e vazhdueshëm konstruktiv në krijimin e kushteve të nevojshme për dialog produktiv që çon në marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me qendër njohjen reciproke.
“Kosova është e etur që ta mbyllë këtë kapitull të fundit sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që t’i hapë rrugën marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Më te theksohet se Kosova e vlerëson shumë rolin e BE-së në lehtësimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe gatishmërinë e BE-së për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Për më tepër, ne e njohim rolin e BE-së si vendimtar në stimulimin dhe ndikimin në dinamikën e procesit. Derisa Serbia është në proces të anëtarësimit në BE dhe paralelisht vazhdon dialogun, procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE është i bllokuar”.
Në këtë dokument të aryestimit për aplikim të Kosovës për antarësim në BE, shkruan se asimetria e tillë, është e dëmshme për procesin e dialogut dhe duhet trajtuar.
“Duke i dhënë Kosovës një perspektivë të prekshme për anëtarësim në të ardhmen, do ta ndihmojë dukshëm këtë proces duke nxitur marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e fqinjësisë së mirë”.
Kosova rikujton se statusi i kandidatit në BE për vendin është i favorshëm për përshpejtimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Deklaratat e guximshme të anëtarësimit në BE nga vetë BE-ja do të kenë ndikimin më të madh kur të pasohen me veprime”.
Kosova deklaron se në mungesë të këtyre, do të bëhet gjithnjë e më e vështirë për të ecur përpara, për të vazhduar axhendën e reformave të BE-së, për të kapërcyer mosmarrëveshjet dypalëshe dhe për të çliruar potencialin e pashfrytëzuar.
“Pra, statusi i kandidatit për Kosovën në BE do të ishte i favorshëm për përshpejtimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Në dokument shkruan se liderët e njëpasnjëshëm të BE-së kanë pranuar se BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor – dhe për këtë qëllim, Kosova do të ndërmarrë hapin vendimtar për paraqitjen e aplikacionit për anëtarësim.
“Mirëpritja e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE dhe fillimi i procesit formal të anëtarësimit, jo vetëm që do të dëshmonte se reformat e shtetndërtimit do të japin rezultate, por do të mbyllte gjithashtu “ciklin e Selanikut”, 20-vjeçar, duke shërbyer si një moment historik për përpjekjet për futjen e të gjithë rajonit në BE”.
