Ejup Maqedonci nderohet në Sallën e Famës së Ushtrisë amerikane

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, është nderuar në Sallën e Famës (Hall of Fame) të Kolegjit të Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Fort Leavenworth.

Gjatë ceremonisë solemne, portreti i tij u vendos në galerinë e personaliteteve të shquara, ndërsa ai mori certifikatën e nderit për arritje të jashtëzakonshme në shërbim të vendit. Maqedonci theksoi se ky nder i dedikohet jo vetëm tij, por edhe bashkëluftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, qeverisë dhe popullit të Kosovës.

Tre muaj më parë, më 14 tetor 2025, portreti i tij ishte vendosur gjithashtu në Sallën e Famës të Kolegjit të Luftës së Ushtrisë Amerikane (U.S. Army War College) në Pensilvani. Këto janë nderime të jashtëzakonshme duke e bërë Maqedoncin të parin ushtarak nga Kosova që merr këtë vlerësim në dy kolegje prestigjioze amerikane.

“Me përgjegjësi ndaj detyrës, përkushtim ndaj misionit, dashuri ndaj atdheut dhe familjes sime, mbetem në shërbimin tuaj!” u shpreh Maqedonci duke reflektuar krenarinë dhe dedikimin e tij ndaj vendit. /Kosova.info/


Go to TOP