Pse e dua Ujkun?
Shkruan: Bajram MJEKU
Nga të gjitha shtazët e egra, më së shumti e dua ujkun dhe këtë për shumë arsye. Është e vetmja shtazë, e cila nuk mund të dresohet dhe nuk performon në cirk! Luani, ndër shtazët më të frikshme performon në cirk, edhe tigri e ariu performojnë njësoj, por ujku, as dresohet, as performon assesi!
Ujkun e dua edhe për një fakt tjetër. Asnjëherë nuk e tradhton partneren e tij. Nëse partnerja e tij vdes, ujku nuk lidhet me asnjë partnere tjetër dhe i qëndron besnik edhe mbas vdekjes! Ulërima e tij për vdekjen e partneres, është trishtuese dhe tunduese njëkohësisht…
Ujku është fort besnik dhe prind i kujdesshëm jo vetëm ndaj të vegjëlve të tij, por edhe ndaj të vegjëlve që kanë lindur nga ujqërit tjerë. Kujdesi i ujkut ndaj të vegjëlve të tij, është për t’u admiruar. Sikur qenia njerëzore të kujdesej për pasardhësit e tij siç kujdeset ujku, bota do të ishte ndryshe!
Ujku është edhe shtazë e durueshme. Durimin e tij, do të duhej ta admironte secili njeri. Kur ai sulmon vathën e deleve ta zëmë, në fillim i sulmon ato dele, të cilat i vlerëson se janë të sëmura dhe të dobëta në shëndet, pastaj i sulmon të gjitha një nga një. Ujku e shijon prenë e tij, vetëm atëherë mbasi ta ket mbytur delen e fundit!
Përballë ujkut, jam gjendur vetëm një herë në jetën time në vendlindje kur isha 12 vjeç në malet e Qyqavicës. Papritur ujku gri doli nga pylli, më vështroi fort çuditshëm dhe si vetëtima u kthye përsëri në pyll…
Sikur politikanët shqiptarë andej e këndej kufirit të kishin sado pak ngjashmëri me ujkun, bota shqiptare sinqerisht do të ishte ndryshe!
Vikend të këndshëm njerëz të mirë, andej e këndej kufirit!
