Edhe Belgjika do burgje në Kosovë, si Danimarka

Partia belge N-VA (Aleanca e Re Flemish është një parti politike nacionaliste dhe konservatore flamande në Belgjikë) ka dalë me një propozim për të vendosur në Kosovë të burgosurit që nuk kanë nënshtetësi belge.

Theo Francken nga partia N-VA, i cili është anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës që nga viti 2010, e bëri këtë propozim për median belge “Het Nieuwsblad”.

Ai si duket për këtë ide të tijën është frymëzuar nga danezët, të cilët kanë kohë që kanë arritur një bashkëpunim të tillë me Kosovën.

Francken ka theksuar se dërgimi i njerëzve pa dokumente belge që duhet të kryejnë një dënim me burg në një vend tjetër është një projekt që përshtatet në mënyrë të përkryer me ndalimin e azilit që ai dhe partia e tij kanë mbrojtur për shumë kohë.

Ideja e tij mori formë më konkrete gjatë udhëtimit të tij të fundit në Ballkanin Perëndimor.

Në Kosovë, ai pa një burg të përdorur nga Danimarka. Media belge “hln” tha se për 210 milionë euro, kosovarët po mbajnë rreth 300 të arrestuar për shtetin skandinav. Bëhet fjalë për të burgosur që kanë qëndruar ilegalisht në Danimarkë kur janë arrestuar. Pasi të kenë kryer dënimin, ata duhet të kthehen në vendin e tyre të origjinës. Ata nuk janë më të mirëpritur në Evropë.

Propozimi i Francken është përfshirë në fushatën zgjedhore të N-VA. Francken është i bindur se qasja do të funksionojë, si një alternativë ndaj marrëveshjeve të kthimit me vendet e origjinës, si Maroku. “Shkalla e krimit në Danimarkë po bie ndjeshëm”, tha ai për “Het Nieuwsblad”.

Go to TOP