Dyshime për shëndetin, Biden: Zëri im i ngjirur është vetëm nga ftohja

Presidenti amerikan, Joe Biden tha të premten se zërin e kishte të ngjirur si “pasojë e një ftohjeje” pas kontaktit me nipin dhe shtoi se ai po testohet çdo ditë për COVID-19.

Të premten, ai mbajti një fjalim për ekonominë me një zë të ngjirur dhe me disa periudha kollitjeje, duke nxitur një gazetar ta pyeste për shëndetin e tij.

“Jam mirë. Bëjmë çdo ditë testime për coronavirus. Këtë e kam marrë nga nipi im një vjeç e gjysmë që i pëlqen t’i jap puthje gjyshit. Është thjesht një ftohje”, shtoi ai.

Presidenti amerikan e kaloi fundjavën e kaluar me familjen kur në Amerikë u festua Dita e Falënderimeve, raporton cnn.

Shëndeti i Bidenit, duke qenë se ai është presidenti më i vjetër i zgjedhur ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara (79), tërheq vëmendje të veçantë.

Dy javë më parë ai iu nënshtrua një ekzaminimi sistematik, rezultatet e të cilit u publikuan nga Shtëpia e Bardhë gjersa mjeku arriti në përfundimin se ai ishte në gjendje të mirë shëndetësore.

Shtetet e Bashkuara kanë frikë nga një rritje e numrit të rasteve me coronavirus me ardhjen e dimrit dhe përhapjen e një varianti të ri të Omicron. 

Go to TOP