Dy ofertat e shqiptarëve në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut

Fronti Evropian dhe Koalicioni VLEN janë dy blloqet politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që do të garojnë në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare, që mbahen më 24 prill dhe 8 maj.

Në Maqedoninë e Veriut janë të regjistruara nëntë parti politike shqiptare, por ato tashmë kanë vendosur që në zgjedhje të marrin pjesë në njërin nga dy blloqet politike të partive në pushtet dhe opozitë.

Fillimisht, partitë opozitare vendosën për formimin e një koalicioni prej katër partive politike, të quajtur “VLEN”, që përbëhet nga Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Aleanca për Shqiptarët e kandidatit për president Arben Taravari dhe partia Alternativa.

Qëllimi i këtij koalicioni është “ndryshimi”, përkatësisht largimi nga Qeveria i Bashkimit Demokratik për Integrim, që është në pushtet tash e 22 vjet.

Koalicioni VLEN vlerëson se shqiptarët kanë nevojë për “ndryshimin e madh”, që, sipas tij, do të ndodhë në zgjedhjet e dyfishta në muajt prill dhe maj.

Ky koalicion në zgjedhjet presidenciale garon me Arben Taravarin, kryetarin aktual të Gostivarit, ndërsa në zgjedhjet parlamentare do të ketë lista të përbashkëta në gjashtë njësitë zgjedhore sa ka Maqedonia e Veriut.

Pas koalicionit opozitar, një koalicion tjetër po formon Bashkimi Demokratik për Integrim.

Edhe pse fillimisht synohej koalicion i gjerë edhe me Lidhjen Social Demokrate të ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, BDI-ja megjithatë vendosi që koalicioni Fronti Evropian të përfshijë partitë më të vogla shqiptare dhe të bashkësive tjera etnike.

BDI-ja tashmë ka vendosur koalicione me Partinë Demokratike Shqiptare, Partinë “Populli” dhe Partinë Demokratike Evropiane, ndërsa në ditët në vijim do të arrihet marrëveshje për koalicion edhe me një parti rome dhe një turke.

BDI-ja në zgjedhjet presidenciale garon me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndarja e partive shqiptare në dy blloqe do të rezultojë me më shumë mandate të deputetëve.

“Mendoj se do të fitojnë më shumë deputetë sesa që kanë aktualisht apo kanë pasur në të kaluarën. Nëse jehona e votuesve është më e lartë e që varet nga platformat që do të ofrojnë dy blloqet, atëherë gjithsesi se pritet një përfaqësim i shqiptarëve në parlamentin e ardhshëm konform përqindjes së tyre në shtet. Kjo do të thotë se një e katërta do të jenë me deputetë që vijnë nga partitë shqiptare, apo së paku 30 deputetë”, thotë Neziri.

Profesori universitar, Mersim Maksuti, thotë se ndarja e partive në dy blloqe politike është për “mirëseardhje” pasi, sipas tij, shqiptarët asnjëherë nuk kanë pasur në veçanti një opozitë të konsoliduar.

“Shqiptarëve për herë të parë në historinë e demokracisë u takon të kenë një opozitë të vërtetë dhe jo një opozitë të përçarë, të pakonsoliduar dhe pa strategji. Domethënë shqiptarët nuk kishin mundësi të kishin një alternativë të ndryshme nga pushteti, një alternativë që qytetarët të mund të zgjedhin diçka më mirë. Të shpresojmë se shqiptarët njëherë e përgjithmonë do të fillojnë të konsolidohen politikisht dhe, vërtet, partitë të jenë në shërbim të qytetarëve dhe të interesave të tyre”, thotë Maksuti.

I pyetur nëse vendimi i BDI-së për të mos hyrë në koalicion me LSDM-në, por me partë e tjera shqiptare, është si kundërpërgjigje ndaj koalicionit opozitar, apo manifestim i frikës nga humbja në zgjedhje, analisti Xhelal Neziri thotë se partitë me këto koalicione synojnë që të marrim më shumë vota, që të kenë pozita të favorshme në bisedimet për formimin e qeverisë së re pas 8 majit.

“Më tepër mendoj se ka të bëjë me forcimin e pozicioneve që të ketë një shans më të mirë, që të jetë një faktor kyç për formimin e qeverisë së ardhshme. Nuk besoj se BDI-ja, e cila ka qenë deri tani në pushtet, do të rrezikohej nga partitë tjera më të reja. Por, fakti se kishim një grumbullim të partive të reja në një koalicion të vetëm, ka nxitur BDI-në që të formojë një koalicion më të gjerë”, vlerëson analisti Neziri.

Partitë politike shqiptare deri më tani në të gjitha ciklet zgjedhore qofshin ato lokale, parlamentare apo presidenciale kanë marrë pjesë të vetme, pa ndonjë koalicion parazgjedhor mes tyre dhe kjo në disa raste ka çuar edhe në uljen e numrit të deputetëve për shkak të shpërndarjes së votës.

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut partitë shqiptare kanë 29 deputetë nga 120 sa numëron institucioni ligjvënës.

Go to TOP