Dushi: Qeveria po e bllokon Prishtinën për të fshehur dështimet e saj – kjo është arrogancë ndaj qytetarëve
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Florian Dushi, ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së Qeverisë Kurti duke e akuzuar për qasje destruktive dhe bllokuese ndaj kryeqytetit.
Në një deklaratë publike, Dushi e cilësoi këtë sjellje si pasojë direkte të frustrimit të grumbulluar nga dështimet në qeverisjen qendrore dhe paaftësia për të prodhuar rezultate konkrete për vendin.
“Sapo dështimet në menaxhimin e shtetit bëhen të pakontestueshme dhe barrë e rëndë për shtetin dhe qytetarët, qeveria zgjedh të sulmojë ata që realisht po punojnë – siç është Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama,” u shpreh Dushi.
Ai theksoi se në vend të bashkëpunimit institucional për zhvillimin e kryeqytetit, Qeveria e Kosovës po vonon proceset dhe po saboton projektet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Prishtinës.
“Kjo është një arrogancë publike që vjen nga një pushtet që nuk e duron dot as suksesin, as ndryshimin, as punën,” theksoi ai.
Dushi paralajmëroi se çdo pengesë ndaj Kryetarit Rama është në fakt pengesë ndaj gjithë qytetarëve të Prishtinës dhe se një qasje e tillë e ulët politike nuk do të ndalë progresin që po realizohet në kryeqytet.
“Prishtinën duhet me e dashtë,” përfundoi mesazhin e tij nënkryetari i Prishtinës. /Kosova.info/
