Aprovohet kërkesa e Prokurorisë, gazetarit Syla i caktohet masa e ndalimit të afrimit vendit apo personit të caktuar

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia caktuar gazetarit Valon Syla masën e ndalimit të afrimit vendit apo personit të caktuar.

Sipas Gjykatës, Sylës iu caktua masa për veprën penale “Lëndim të lehtë trupor”.

Kjo masë u caktua pas mbajtjes së seancës dëgjimore.

“Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ashtu që të pandehurit V.S i ndalohet ti afrohet në afërsi më të vogël se sa 5 (pesë) metra të dëmtuarës E.N., kjo masë e ndalimit, sipas këtij aktvendimi do të zgjasë 1 (një) muaj duke filluar nga data 28.06.2025 deri me datë 28.07.2025, ndërsa në rast të mos respektimit të kësaj mase, ndaj të pandehurit V.S. do të zëvendësohet kjo masë me masën e paraburgimit sipas nenit 175 paragrafi 5 të KPPRK-së”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Aty thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës “Ndalimi për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar”, ngase ekziston rreziku se i njëjti mund të përsërisë veprën e njëjtë penale apo mund të kryejë vepër penale edhe më të rëndë.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Kosova.info/


Go to TOP