Duriqi emërohet drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë

Agjencia e Kosovës për Forenzikë ka njoftuar se Shemsi Duriqi është emëruar në pozitën e drejtorit Ekzekutiv të institucionit, me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, marrë gjatë mbledhjes së saj të 265-të.

“Duriqi sjell me vete një përvojë të gjatë dhe të çmuar brenda vetë Agjencisë, ku më herët ka ushtruar detyrën e Menaxherit të Cilësisë. Gjatë karrierës së tij profesionale, ai ka qenë i përfshirë në të gjitha proceset kyçe të zhvillimit institucional të AKF-së, dhe ka qenë një ndër figurat udhëheqëse në procesin e akreditimit të laboratorëve sipas standardit ndërkombëtar ISO 17025”, thuhet në njoftim.

Përveç kontributit të tij në fushën e forenzikës, Duriqi ka shërbyer më herët edhe në Policinë e Kosovës, ku ka mbajtur grade policore dhe ka qenë pjesë e hierarkisë komanduese të institucionit policor, duke dëshmuar përkushtim të lartë profesional në shërbim të ligjit, rendit dhe sigurisë publike.

Me profesionalizmin, integritetin dhe përvojën e tij të gjerë, pritet që z. Duriqi të udhëheq Agjencinë me përkushtim të lartë, duke kontribuar më tej në forcimin e besueshmërisë, transparencës dhe efikasitetit profesional të institucionit. /Kosova.info/


Go to TOP