Dua Lipa: 200 mijë njerëz në shesh, shfaqja jonë më e madhe

Këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa mblodhi rreth 200 mijë njerëz në koncertin e mbajtur në sheshin “Skënderbej” në Tiranë më 28 Nëntor me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Në një postim në rrjetet sociale, Dua Lipa ka ndarë momente nga koncerti në Tiranë, ndërsa falënderon të gjithë të pranishmit në koncert, të cilin e cilësoi se shfaqja më e madhja që ka mbajtur.

“94 shfaqje në të gjithë botën në një vit dhe duke i dhënë fund në Tiranë, Shqipëri për rreth 200 mijë njerëz, shfaqja jonë më e madhe solo, në ditën e pavarësisë!!! Gjithçka që mund të them është falënderimi më i thellë, për një vit që më ka shtyrë të rritem përtej çdo gjëje që mund ta imagjinoja e për ta ndarë me njerëz të mrekullueshëm”, shkruan Dua Lipa.

Shqiptarët, shumë të ardhur edhe nga Kosova dhe trevat shqipfolëse enkas për koncertin e saj në Tiranë, shijuan performancën e artistes më të njohur shqiptare në mbarë botën.

Dua Lipa ka hyrë në tregun ndërkombëtar prej disa vitesh dhe ka arritur të prekë majat e suksesit. Kohët e fundit ajo ka arritur të rrëmbejë çmime mjaft të rëndësishme si “The Global Awards”, “Grammy Awards” etj.

Go to TOP