FIFA propozon shitjen e aksioneve të Kupës së Botës, UEFA kundërshton
FIFA ka konfirmuar se po planifikon krijimin e një kompanie të veçantë për menaxhimin e Kupës së Botës, ku një pjesë e aksioneve do t`u ofrohet investitorëve privatë.
Sipas planit, kompania e re do të menaxhojë aspektet komerciale të turneut, ndërsa FIFA ka theksuar se do të mbajë shumicën e aksioneve dhe kontrollin mbi organizimin e Kupës së Botës.
Megjithatë, plani ka hasur menjëherë në kundërshtimin e UEFA-s. Shtëpia evropiane e futbollit e ka cilësuar këtë nismë si një hap të papranueshëm, duke deklaruar se futbolli nuk duhet të trajtohet si një aset për t’u shitur investitorëve privatë.
Në muajt e ardhshëm, propozimi do të hidhet në votim nga federatat anëtare të FIFA-s. Për t’i bindur ato, FIFA ka premtuar rritje të konsiderueshme të fondeve për secilën federatë kombëtare.
Sipas planit të paraqitur, federatat do të përfitonin dhjetëra milionë dollarë më shumë gjatë viteve të ardhshme për zhvillimin e futbollit, çka pritet ta bëjë votimin një nga më të rëndësishmit në historinë e organizatës.
Debati pritet të vazhdojë, pasi shumë drejtues të futbollit besojnë se vendimi mund të ndikojë në mënyrën se si do të menaxhohet gara më prestigjioze e futbollit botëror në të ardhmen.
