Drejtësia në Hagë, kërkohet unitet politik

Një ditë më parë, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë duke e vlerësuar si të rëndësishme në kohën kur procesi atje është drejt përfundimit. Megjithatë, mospjesëmarrja e LDK-së në votim ka nxitur reagime. Përfaqësues të OVL-UÇK-së kërkuan unitet mes partive politike për procesin në Hagë.

Nisma, e cila kërkon zbatimin e standardeve ndërkombëtare të drejtësisë për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë, u miratua.

Legjislatura e dhjetë e Kuvendit të Kosovës, të enjten, mori vendimin e parë – miratimin e rezolutës përmes së cilës kërkohej gjykim i drejtë për katërshen e UÇK-së.

Ky veprim i ligjvënësit u vlerësua si i rëndësishëm në kohën kur procesi në Hagë po shkon drejt fundit.

Hysni Gucati, kryetar i OVL-UÇK-së, e ka përshëndetur miratimin e rezolutës duke thënë se deputetët kanë bërë mirë që e kanë votuar.

Ndërsa Skënder Musa, avokat, ka thënë se në aspektin ligjor rezoluta nuk ka ndikim, ndërsa në aspektin praktik paraqet qëndrimin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, si komb që janë të pakënaqur me veprimet e prokurorëve specialë të Gjykatës Speciale.

Lidhja Demokratike e Kosovës vendosi që të mos jetë pjesë e këtij konsensusi, veprim ky i cili nxiti reagime.

Hysni Gucati, kryetar i OVL-UÇK-së, tha se LDK ka gabuar.

“Për momentin neve na duhet uniteti, nuk na duhet përçarja. Jemi për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pasluftës, sepse edhe ata kanë familje. LDK është dashur me ia lënë drejtësisë këtë çështje”, tha ai.

Ndërsa Skënder Musa, avokat, theksoi se rastet e vrasjeve të pasluftës nuk janë të trajtuara nga kjo gjykatë.

“Nuk është asnjë pikë e aktakuzës për këto çështje dhe LDK e di mirë këtë. Mendoj se qëllimi ka qenë kryekëput politik, që nuk i shërben LDK-së dhe mund ta dëmtojë procesin”, tha ai.

Nga LDK thanë të premten se nuk pranojnë të legjitimojnë një qasje të njëanshme ndaj drejtësisë.

Kjo pasi, sipas këtij subjekti, rezoluta duhet të përfshinte edhe zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës.

Rezoluta e propozuar nga PDK kërkon që të zbatohen standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me të drejtat dhe liritë themelore të të akuzuarve.

Ndërkaq, edhe Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një deklaratë për pafajësinë e ish-eprorëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.


Go to TOP