Volejbolli mbetet në elitë – FVK sërish në Kategorinë A, sporti ekipor më i ranguar në vend

Volejbolli vazhdon të konfirmojë statusin e tij si një nga sportet më të suksesshme në Kosovë. Sipas kategorizimit zyrtar të sporteve nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit (MKRS), ky sport mbetet pjesë e elitës duke u renditur edhe për këtë vit në Kategorinë A.

Federata e Volejbollit e Kosovës (FVK) pozicionohet e treta në këtë kategori, menjëherë pas xhudos dhe karatesë duke u bërë kështu sporti ekipor më i lartë i ranguar në vend. Ky renditje dëshmon për stabilitetin organizativ, punën profesionale dhe rezultatet e arritura ndër vite nga komuniteti i volejbollit.

Nga FVK theksohet se ky vlerësim është fryt i angazhimit të vazhdueshëm të klubeve, trajnerëve, sportistëve dhe sponsorëve, të cilët kanë kontribuar në ngritjen e standardeve dhe zhvillimin e këtij sporti në të gjitha nivelet.

Federata ka shprehur mirënjohje të thellë për të gjithë akterët e përfshirë duke e cilësuar këtë sukses si rezultat të bashkëpunimit dhe vizionit të përbashkët për ta çuar volejbollin kosovar drejt arritjeve edhe më të mëdha në arenën vendore dhe ndërkombëtare. /Kosova.info/


Go to TOP