Donfried: Kosova dhe Serbia të angazhohen në dialog

Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, ka thënë të hënën, 25 prill, se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel, sepse status-quoja është e paqëndrueshme.

Ajo i ka bërë këto deklarata pas takimit që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Prishtinë.

“Ne i japim prioritet mbështetjes së procesit të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe t’i ndihmojmë Kosovës që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, duke pasur në qendër njohjen e ndërsjellë. Status quo-ja është paqëndrueshme. Jo vetëm që e pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, mirëpo nga kjo përfiton Kremlini. Rusia dëshiron të shkatërrojë çdo unitet dhe konsolidim demokratik në Ballkanin Perëndimor”.

Ajo ka thënë se me Kurtin ka diskutuar për hapat e ardhshëm të dialogut dhe rëndësinë e përparimit në këtë proces.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011.


Go to TOP