Hoti i ashpër me Qeverinë: Dialogun për njohje reciproke e degraduan në bisedim për tabela të veturave

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se qeverisja aktuale në krye me kreun e ekzekutivit, Albin Kurti, e ka degraduar dialogun që në mbyllje të tij do të dilte njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Hoti, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se Samiti i Parisit, Marrëveshja e Washingtonit dhe takimet me vendin e QUINT-it e kornizuan qartësisht dialogun por, sipas tij, ishte qeverisja aktuale që degraduan formatin e tij.

“Kosovës iu bë dëm i madh kur qeveria aktuale e braktisi dialogun për njohje reciproke, të cilin qeveria ime me ndihmën e partnerëve e kishte kornizuar shumë qartë.  Samiti i Parisit (në korrik 2020), Marrëveshja e Uashingtonit (në shtator 2020) dhe shumë takime bilaterale me vendet e Quintit, e kornizuan qartësisht dialogun sa i përket qëllimit, përmbajtjes dhe kohës të arritjes së marrëveshjes finale, si dhe e detyruan Serbinë të nisë procesin e arritjes së marrëveshjes finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve me Kosovën”, ka shkruar ai.

“Qeveria aktuale, në vend që të insistonte në mbyllje të dialogut me njohje reciproke, në Bruksel propozoi ‘traktate’ për mos-sulm dhe për zëvendësim të CEFTA-së, të cilat u injoruan plotësisht dhe me të drejtë nga ana e BE-së. Fatkeqësisht, dialogu për njohje reciproke degradoi në dialog për tabela të veturave, sado e rëndësishme që është kjo çështje. Në takimet e Komisionit për Stabilizim-Asociim, të mbajtura në Prishtinë në nëntor 2021 dhe në Bruksel në mars 2022, mazhoranca qeverisëse në Kosovë u zotua për zbatim të marrëveshjeve paraprake të dialogut, të cilat brenda Kosovës i kritikon dhe i kundërshton fuqishëm”, ka thënë më tej Hoti.

“Ndërkaq, tani kur duhet marrë përgjegjësi shtetërore dhe duhet treguar seriozitet para partnerëve, nuk dinë çfarë të thonë”, ka përfunduar deputeti i LDK-së.

Go to TOP