DokuFest me program të veçantë për 17 shkurt – për herë të parë shfaq tre filma në platformën ‘livestream’

Me rastin e Pavarësisë së Kosovës, DokuFest ka kuruar një program special me tre filma të shquar për të shënuar këtë ditë të rëndësishme.

Filmat ngritin temën e identitetit dhe shtrojnë pyetje rreth sovranitetit e përkatësisë. Të tre filmat do t’i ofrohen publikut falas, të enjten me 17 shkurt 2022, në platformën ‘livestream’ në dokufest.com në ora 16:00 dhe 22:00.

Ky program është shumë i veçantë për ne, pasi që për herë të parë jemi duke e testuar opsionin e transmetimit ‘live’ të filmave në faqen tonë, e për më shumë jemi të lumtur që këtë e fillojmë në këtë ditë madhështore, për të shënuar ditën e Pavarësisë me tre filma mahnitës që sjellin rrëfime nga periudha të ndryshme kohore, e që lidhen me historinë e shtet formimit të Kosovës.

Transmetimi do të nis me filmin e parë “I kujt është flamuri” nga Baris Karamuço i cili trajton çështjen e identitetit kombëtar për kosovarët, të cilët kanë opinione të ndryshme për flamurin e tyre me ngjyrë të kaltër, bardhë dhe e artë.

Filmi tregon në mënyrë brilante çështjen duke përdorur sekuenca të një çerdheje, ku edukatorja ua mëson flamurin fëmijëve. Programi do të vazhdojë me filmin “Sans Le Kosovo” nga Dea Gjinovci, me një portretizim në jetën e Asllan Gjinovcit, i cili pas përfshirjes në protestat studentore që kërkonin autonominë e Kosovës në Jugosllavi, detyrohet të largohet nga vendi për tu vendosur përfundimisht në Zvicër.

Duke kërkuar të eksplorojë ndikimin e këtij mërgimi në jetën e tij dhe në të njëjtën kohë edhe në të sajën, regjisorja dhe babai i saj marrin rrugën për të ripërshkruar mërgimin e tij si një refugjat 19-vjeçar nga Kosova në vitin 1968.

Programi i Pavarësisë do të mbyll transmetimin me filmin “The Agreement” nga Karen Stokkendal Poulsen. Historia botërore është duke u bërë kur kryenegociatori i BE-së Robert Cooper duhet të zgjidhë një marrëveshje për bashkëjetesë të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dokumentari danez e sjell audiencën drejt e në thelbin e këtyre negociatave intensive. Bastet janë të larta, por pavarësisht seriozitetit të negociatave, ato rezultojnë të jenë çuditërisht qesharake dhe të realizuara me stil e sharm nga tre personazhet në tavolinë. Është konflikti i fundit territorial i Evropës dhe vendimtar që BE-ja të provojë aftësinë për të bërë paqe në oborrin e saj. Sa larg janë të gatshëm të shkojnë secila palë.

DokuFest ka falënderuar regjisoret Dea Gjinovci dhe Karen Stokkendal Poulsen, si dhe producenten Vibeke Vogel nga Bullitt Film q% mundësuan transmetimin e tyre në programin e Pavarësisë.

DokuFest do të vazhdojë edhe më tej me programe që do të kurohen për audiencat që e vizitojnë kinemanë si dhe me programe që do të jenë në dispozicion edhe për audiencat jashtë Prizrenit, përmes programeve online.

Projekti Fabrika Digjitale e Filmit, i mbështetur përmes pakos për ringjallje ekonomike nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kontribuon edhe më tej në fuqizimin e programit “Promovimi i Shoqërisë Demokratike përmes Kulturës dhe Artit” që mbështetet nga Ambasada Suedeze në Kosovë.

Të drejtat e filmave të tjerë janë siguruar me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ambasadës Suedeze, National Endowment for Democracy dhe përmes bashkëpunimit me organizatën daneze ‘Why Foundation’.

Go to TOP