Shumë zyrtarë të BQE-së nuk i besojnë parashikimit për inflacionin

Një numër në rritje i politikëbërësve në Bankën Qendrore Evropiane (BQE) po humbasin besimin te parashikimi aktual i inflacionit nga ky institucion, duke bërë që ata të mbështesin rritjen e normave të interesit gjatë këtij viti.

Teksa kryeekonomisti i BQE-së, Philip Lane ka dalë në mbrojtje të projeksioneve dhe këmbëngul se modelimi i stafit të tij është i saktë, disa guvernatorë kanë paralajmëruar se nuk duhet të bazohemi shumë te këto parashikime në rrethanat e një mjedisi të pasigurt që po ndryshon me shpejtësi, ku rritja e fundit e çmimeve ka turbulluar pritshmëritë.

Këto dyshime mbi procesin e parashikimit erdhën pas bisedave të shumta me zyrtarë të BQE-së në lidhje me diskutimet pas ndryshimit të papritur dhe të menjëhershëm të qëndrimit nga presidentja Christine Lagarde javën e kaluar.

Vlera e euros u rrit me me 0.3 për qind, duke u tregtuar me rreth 1.1445 dollarë. Obligacionet e qeverisë gjermane patën një rritje të tregtimit pas sesionit evropian.

Qëndrimi i fundit i Lagarde, në kontekstin e intensifikimit të shtrëngimeve botërore, ka hapur rrugën për një vendim më të ashpër në mars, periudhë në të cilën politikëbërësit mund të diskutojnë se kur duhet të ndalojnë me blerjet e bonove.

Parashikimet e reja do të marrin rëndësi në këtë takim, pasi projeksionet e fundit të BQE-së që datojnë më 16 dhjetor nuk janë më koherente pas rritjes së ҫmimeve të energjisë dhe dy parashikimeve rekord të inflacionit që nga ajo datë, duke përfshirë atë të fundit prej 5.1 për qind në janar. Perspektiva e fundit ishte për një mesatare të përgjithshme prej 3.2 për qind këtë vit.

Dyshimet mbi aftësitë modeluese të BQE-së përbëjnë një linjë të sulmeve ndaj pikëpamjes së tij relativisht ekspansioniste për politikat monetare, sipas së cilës politikëbërësit nuk duhet të kenë frikë nga inflacioni që nuk del jashtë kontrollit, thonë zyrtarët, duke vërejtur se pozicioni i tij po merr gjithnjë e më pak mbështetje nga kolegët e tjerë.

Go to TOP