Disa faktorë ndikuan në zgjedhjet e 28 dhjetorit

Sonte në RTK Prime u diskutua për rezultatin zgjedhor të 28 dhjetorit, ku Vetëvendosje fitoi zgjedhjet. Njohësit e zhvillimeve politike vlerësuan se ky rezultat vjen si pasojë e disa faktorëve në vend.

Profesori Dashamir Bërxulli tha se opozita, në një masë të madhe, kishte shpresuar shumë energji dhe burime për të ndryshuar rezultatin. Ai shtoi se opozita kosovare duhej të kishte ardhur me oferta të reja.

“Modeli i lidershipit tregon qartë se votuesit kanë preferuar ofertën që ka dhënë Kurti, i cili ka një karakter që në psikologji njihet si ‘lider magnetik’. Po ashtu, opozita nuk ka arritur ta ndjekë Kurtin”, tha profesor Bërxulli.

Kurse ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, tha se partitë opozitare nuk kishin vizion, koncept dhe filozofi të qartë të opozitarizmit. Ai shtoi se ka menduar që VV nuk do të arrinte këtë rezultat, pasi partitë politike, kur arrijnë në zenit, zakonisht bien.

Sipas tij, opozita nëse do të kishte marrë pjesë në krijimin e institucioneve, situata do të ishte ndryshe. Për rënien e LDK-së, Kryeziu vlerësoi se kjo lidhet edhe me betonimin që kjo parti kishte pasur as me VV e as me opozitën, kurse për PDK tha se ajo është një parti që ka një strukturë dhe e ka menaxhuar për të dalë me rezultat.

Naim Sadiku theksoi se realisht janë shumë faktorë që ndikuan që të vie ky rezultat që nuk është pritur që të përsëritet 9 shkurti i vitit 2021 pikërisht për shkak të mënyrës se si qeverisi Vetëvendosje edhe për shkak të besimit që qytetarët do të mund ta kishin tek partitë opozitare këto reformat ato që u bënë megjithatë kjo nuk ndodhi.

“Ndodhi e kundërta është faktori diasporë, është faktori i figurës së liderit mendoj që është faktori i aseteve shtetërorë të cilat i ka pas në dispozicionin Kurti e të cilat i kanë ndihmuar, ditët e fundit nuk është asnjë prej qytetarëve që nuk e ka ndje dorën e shtetit tek shtesat për fëmijë, shtesat për lehona dhe të tjera. Pavarësisht që ka ngritje të çmimeve sepse opozita e ka pas këtë narracion rritja e pagave, ngritja e çmimeve por qytetari e din që jo në secilin rast është fajtore Qeveria”, tha ai.

 “Nuk duhet harruar që Vetëvendosja është rritur edhe në bazën e votës brenda Kosovës jo veç diasporës, diaspora e ka rritur në përqindje por Vetëvendosje do të shënonte rritje nga 9 shkurti edhe me votën e strukturës së votuesve brenda Kosovës që mendoj që të gjitha këto kanë ndikuar edhe vendimet e fundit edhe prekja e dorës së shtetit për shumë qytetarë edhe e partive opozitare më një lloj komoditeti”, shtoi ai.

Ndërsa analisti Ejup Gojnovci, tha se qeveria nuk rrëzohet në studiot televizive. Për bllokadën institucionale, ai vlerësoi se rezultati është i natyrshëm dhe është një legjitim që ishte para katër viteve.


Go to TOP