Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon të mbetet i bllokuar

Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon të mbetet i bllokuar, edhe pse ky proces shihet si thelbësor për të ardhmen evropiane të të dy vendeve.

Vizita e emisarit të BE-së, Peter Sorensen, në Prishtinë dhe Beograd solli vetëm përsëritje të mesazheve të njohura, pa asnjë hap të ri politik, vlerësojnë analistët.

Kjo ndodh në një kohë kur edhe Beogradi edhe Prishtina po kalojnë kriza të brendshme politike, gjë që ngre dyshime për aftësinë e BE-së për ta nxjerrë dialogun nga ngërçi.

 “Vizita e emisarit ishte më shumë mbledhje informacioni dhe testim terreni. Nuk pati përmbajtje të re, mesazhet janë të njëjta: nevojitet zbatim i marrëveshjeve. Megjithatë, gjysma e mandatit të tij tashmë ka kaluar dhe nuk kemi parë dialog të vërtetë apo përparim thelbësor”, ka thënë Milosh Pavkoviq nga Qendra për Politika Evropiane.

Sorensen gjatë gushtit vizitoi Prishtinën dhe Beogradin, duke theksuar rëndësinë e normalizimit në interes të qytetarëve dhe duke i cilësuar takimet si përgatitore për rundet e ardhshme. Por, sipas analistëve, procesi është reduktuar në përsëritjen e mesazheve rreth Marrëveshjes së Ohrit.

 “Pika kryesore e bllokimit për Prishtinën mbetet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa për Beogradin çështje e ndjeshme është anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare. Pa zgjidhjen e këtyre dy çështjeve nuk ka zbatim të marrëveshjeve, prandaj dialogu stagnon prej vitesh”, ka thënë Pavkoviq.

Analistët theksojnë se dialogu po ngjan gjithnjë e më shumë me një fasadë politike, pa substancë reale.

Vizita e Sorensenit e konfirmoi se, pa hapa të qartë politikë, procesi mbetet i bllokuar në retorikën të përsëritur, ndërsa besimi publik në këtë dialog po zbehet gradualisht.


Go to TOP