Dëshmia e rrallë/ “Djali i Ismail Qemalit vuajti dy vjet burg për revolen e të atit dhe në varrimin e tij ishim 6 veta…”- Si e persekutoi Enveri, familjen e Plakut të Vlorës

Publikohet historia e panjohur të djemve të Ismail Qemalit, nga periudha e Monarkisë së Zogut, kur ata emëruan në funksione të larta zyrtare dhe u nderuan me medalje, dekorata e pensione të veçante. Nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, kur Qamil Vlora, u burgos që në vitin 1947, duke u akuzuar për armëmbajtje pa leje, ndërsa familja e tij, deri në fund të regjimit komunist, u persekutua, u denigrua dhe u shpërfill, duke mos u ftuar asnjëherë në përvjetorët e shpalljes së Pavarësisë. Dëshmia e rrallë e znj, Esma Hurshiti Vlora, mbesa e Javer bej Hurshitit, (ish-firmëtar i Pavarësisë në nëntorin e 1912-ës, funksionar i lartë i Monarkisë së Zogut, prefekt dhe kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës, deputet, ministër, Prefekt i Shkodrës, Senator në Këshillin e Lartë të Shtetit etj.), e cila tregon të gjithë historinë e trishtë të familjes së vjehrrit të saj, Qamil Vlorës, (djalit të vogël të Ismail bej Qemalit), nën regjimin komunist të Enver Hoxhës!

“Në fillim të vitit 1945, vjehrrin tim, Qamil Vlorën e kërkoi Mehmet Shehu, i cili i tha se e kishte thirrur për të biseduar e për t’i marrë disa mendime, si djali i Ismail Qemal Vlorës që ishte. Mbasi biseduan gjatë, Qamili i tha Mehmetit: ‘Në do të dish mendimin tim, unë po të them se mjaft u vranë shqiptarët me njeri tjetrin, prandaj mos bëni më gjakderdhje, mos vrisni më’. Siç na tha vetë Qamili kur u kthye në shtëpi, Mehmet Shehu e kishte thirrur atë, për ta kthyer në anën e komunistëve, duke e joshur dhe me premtime të shumta. Pasi krerët e lartë të shtetit komunist, nuk ja arritën dot ta bënin për vete Qamilin, ata vendosën arrestimin dhe dënimin e tij me burg”.

Kështu e kujtonte në mes të tjerash zonja Esma Hurshiti Vlora (bashkshortja e Ismail Qamil Vlorës, nipit të Ismail Qemalit, plakut të Vlorës që ngriti flamurin dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë, më 28 nëntor të vitit 1912), takimin e të birit të Ismail Qemalit në vitin 1945, me Mehmet Shehun, e cila veç kësaj na tregonte edhe anën e panjohur të familjes Vlora, gjatë viteve të regjimit komunist, ku vjehrri i saj Qamili, djali i vogël Ismail Qemalit, përfundoi në kampet e burgjet e diktaturës dhe familja e tij u denigrua e u nëpërkëmb deri në fundin e viteve 80-të.

Ndonëse të gjithë shqiptarët kudo ku kanë qenë, që nga viti 1912-të, kur plaku i Vlorës ngriti flamurin kuq e zi në ballkonin e shtëpisë së tij, janë përulur me respekt, çdo 28 nëntor për ta përkujtuar atë, të pakët kanë qenë ata që e kanë ditur se, mbas 28 nëntorit të 1944-ës kur komunistët erdhën në pushtet, ende në Tiranë jetonin dhe dy djemtë e Ismail Qemal Vlorës. Po kështu ndonëse shteti komunist organizonte ceremonitë e mëdha në përkujtimin e ditës së flamurit, për djemtë e nipat e plakut të Vlorës që jetonin ende, nuk u fol asnjëherë dhe për ta u mbajt një heshtje e thellë, duke u fshirë fare nga historia e Shqipërisë, pjesë e së cilës, ata kishin pasur fatin të ishin, duke qenë bashkëpunëtorë më të ngushtë të babait tyre.

Dëshmia e Esma Hurshti Vlora, bashkëshortja e nipit të Ismail Qemalit!

Aty nga fillimi i muajit shkurt të vitit 1945, Mehmet Shehu thirri në një takim në zyrën e tij, Qamil Vlorën, të birin e Ismail Qemalit, i cili ishte i vetmi nga djemtë e Plakut të Vlorës që jetonte në atë kohë dhe ishte në Shqipëri, pasi të tjerët kishin ndërruar jetë gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, kurse ishte i vëllai tij, Qazimi, ishte larguar nga Shqipëri, duke u vendosur me banim në qytetin e Strugës, ku dhe ndërroi jetë pak kohë më vonë.

Lidhur me takimin e Qamil Vlorës me gjeneral-major Mehmet Shehun, Esma Hurshiti Vlora, kujtonte: “Në atë kohë që Qamili u thirr në takim prej Mehmet Shehut, babai im, Mehmet Hurshiti, së bashku me të atin Javerin, ishin të arrestuar dhe akoma nuk kishin dalë në Gjyqin Special, ku gjyshi të do dënohej me vdekje dhe do të pushkatohej, kurse babai do të dënohej me vite të gjata burgu. Siç na tregoi më pas Qamili, Mehmet Shehu i tha atij, se e kishte thirrur për të biseduar dhe për t’i marrë mendim, si djali i Ismail Qemalit që ishte. Pasi ata biseduan gjatë me njeri tjetrin, Qamili i kishte thënë Mehmet Shehut, se nëse donte të dinte mendimin e tij, ata komunistët duhet të ndalonin gjakderdhjen, duke pushuar ekzekutimet me dhe pa gjyq, sepse mjaft ishin vrarë shqiptarët me njeri tjetrin.

Me atë gjë Qamili, donte t`i tregonte Mehmet Shehut, se ai ishte kundër dënimit të Javer Hurshitit dhe grupit të madh të ish-politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të qeverive të mëparshme, që ishin arrestuar e pritej të pushkatoheshin. Siç na tha vetë Qamili atëhere, Mehmet Shehu e kishte thirrur atë, që t`i maste pulsin e ta kthente me komunistët, për ta shfrytëzuar emrin e tij, si djali i Ismail Qemalit dhe për ta joshur, ai i kishte bërë dhe disa premtime Qamilit.

Por, pasi Mehmet Shehu dhe disa funksionarë të lartë të shtetit komunist të asaj kohe me të cilët u takuam më pas, nuk arritën ta bënin për vete Qamilin, ata vendosën arrestimin e tij”, kujtonte Esma Hurshiti (Vlora), takimin e vjehrrit të saj, Qamil Vlorës, me gjeneral-major Mehmet Shehun, njërin prej krerëve të lartë të regjimit komunist të porsaardhur në fuqi, të cilët donin ta shfrytëzonin për interesat e tyre politike, figurën e djalit të Ismail Qemalit. Pas kësaj regjimi komunist, duke parë që familjen e djalit të Ismail Qemalit do ta kishte kundërshtare të saj, ja ndërroi asaj mbiemrin, duke ja bërë nga Vlora, në Ismaili, për të zhdukur çdo lloj lidhje midis emrit të patriotit të madh dhe pasardhësve të tij.

Arrestimi dhe dënimi me dy vjet burg, i Qamil Vlorës!

Pasi krerët më të lartë të regjimit komunist të Enver Hoxhës nuk ja arritën dot qëllimit të tyre, ata vendosën arrestimin e Qamil Vlorës. Arsyet e arrestimit të tij ishin të qarta, kurse preteksti për t’a dënuar atë, ishte nga më banalët: armë mbajtje pa leje. Askohe Qamil Vlora kishte një revolver me dorezë fildishi dhe të larë të gjithin me ar, të cilin e kishte kujtimin më të shtrenjtë nga babai tij, Ismail Qemali. Ndonëse Qamili e mbante të fshehur atë, pasi e dinte pozitën dhe raportet e tij me shtetin komunist, ajo gjë u zbulua nga Sigurimi i shtetit.

Kështu aty nga fillimi i vitit 1947, Sigurimi i Shtetit bëri arrestimin e tij, kur Qamili ishte duke punuar si punëtor, në një shtypshkronjë shtetërore. Lidhur me këtë, Esma Hurshiti Vlora, kujtonte: “Për arrestimin e Qamilit, ne si familje nuk u lajmëruam fare, atë gjë e mësuam pasi u interesuan dy djemtë e tij, Ismali me Xhevdetin. Pasi u mbajt për disa kohë në hetuesi, Qamili u dënua me dy vjet burg, duke u akuzuar për armë mbajtje pa leje, për revolverin që e kishte kujtim nga i ati. As kur doli në gjyqi, ne nuk morëm pjesë se nuk na lajmëruan. Ne mundëm që ta takojmë atë, vetëm kur filloi të vuante dënimin, të cilin Qamili e bëri në burgun e Tiranës. Atë e dërgonin për të punuar në Laprakë, ku ishte një stacion për rritjen e krimbit të mëndafshit dhe gjatë asaj kohe, nga lagështia, ai u sëmur rëndë dhe u bë me tuberkuloz.

Go to TOP