Deputeti Tahiri viziton Thaçin dhe Veselin në Hagë: Kosova nuk harron
Deputeti dhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka njoftuar se ka vizituar në paraburgim në Hagë ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli.
Përmes një reagimi publik, Tahiri tha se hyrja në ambientet e paraburgimit ishte një moment i rëndë dhe plot emocione duke theksuar sakrificën dhe historinë që, sipas tij, këta figura mbartin për Kosovën.
“Pata nderin të takoj Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryetarin Kadri Veseli, dy figura që në momentet më të vështira qëndruan në ballë të rrugëtimit tonë për liri. T’i shohësh sot prapa mureve të burgut, larg familjeve dhe vendit për të cilin sakrifikuan gjithçka, të prek thellë në shpirt”, ka shkruar Tahiri.
Ai shtoi se, edhe në këto rrethana, qëndrimi dhe dinjiteti i tyre mbetet i pathyeshëm duke shprehur besimin se e vërteta dhe drejtësia do të dalin në dritë.
Në reagimin e tij, deputeti i PDK-së ka kujtuar me respekt edhe ish-zyrtarët e lartë të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po ashtu po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
“Kosova nuk harron. E vërteta dhe drejtësia do të dalin në dritë”, ka përfunduar Tahiri. /Kosova.info/
