DEMO-KONTROLL-KRACIA

Shkruan: Ejup BERIShA

Është kjo një demokraci shumë e keqe si në aspektin formal por edhe në atë faktik pasi që e njëjta është e kombinuar me metoda, veprime e akte totalitare-diktatoriale të strukturave udhëheqëse politike.

Këto veprojnë në stilin ne u sigurojmë liri dhe barazi qytetarëve por ata do të jene të tillë vetëm atëherë kur ne të lejojmë që të jenë të tillë. Pra esencën e asaj se çfarë është demokraci në këtë model demokracie nuk e përcakton vet individi si qeni8e biologjike dhe si pjesë shumë e rëndësishme e shoqërisë por dikush tjetër, kështu hapësirën dhe vëllimin e demokracisë në rastin konkret e përcaktojnë strukturat politike. Këta me këtë rast duan të thonë se vetëm ata e dinë se çka është më mirë dhe më e përshtatshme për individët në shtet. Në rastin konkret vetëm ajo që politikanët mendojnë se është liri është liri dhe për ta nuk është me rëndësi se si ndjehen individët në jetën e tyre reale por vetëm ajo se si mendojnë dhe si interpretojnë vet politikanët. Diçka e ngjashme ndodhë edhe me interpretimin e barazisë, ata kanë interpretim personal edhe për të dhe thonë se kujdesen dhe kanë krijuar kushte të nevojshme dhe krejt çka duhet te behet është ajo që të gjithë qytetaret ta kuptojnë se janë të barabartë në shoqëri dhe në shtet. Por athua vallë a janë të gjithë të barabartë, pasi që një gjë është të të thonë se je por krejt tjetër është të jesh i barabartë realisht në jetën e përditshme. Me këto pohime dhe të pavërteta forcat politike dëshirojnë tua përcaktojnë fatin e gjithmbarshëm individëve. Ata nuk ndalen me kaq por tentojnë gjithashtu edhe të rekomandojnë se çfarë duhet të bëjnë dhe se si duhet të jetojnë individët. Me këto veprime me automatizëm vihet në pikëpyetje koncepti i demokracisë sepse ata tentojnë që të vendosin diktat dhe kontroll mbi rrjedhat e gjithmbarshme shoqërore ndërsa diktati e kontrolli janë në kundërshtim me parimet themelore demokratike. E demokracia në masën më të madhe të mundshme e mundëson vetëzhvillimin e lirë shoqëror të individit pa ndikime te jashtme e anësore pa diktate pa kontroll dhe pa kufizime. Demokracia individëve u rekomandon që ta jetojnë jetën e tyre ashtu si duan dhe si mendojnë se është më së miri për ta ata vetë. Kuptohet jo pa ekzistimin e rregullave bazike të lojës dhe sjelljes sepse edhe demokracia i ka rregullat e veta të cilat përmbajnë procedura të shndërruara në ligje. Edhe demokracia pra nuk është regjim pa rend e rregull përmes të cilave duhet të garantohen liritë dhe të drejtat e njeriut në nivelin më të mire dhe më të lartë të mundshëm. Këto rregulla e përjashtojnë diktatin bashkë me kontrollin në rastin konkret duke përcaktuar qartë se liria dhe barazia si dy shtyllat kryesore të demokracisë nuk guxojnë të diktohen dhe imponohen nga askush sepse këto janë fenomene autonome dhe se të njëjtat duhet të zhvillohen në mënyrë të pavarur, kjo do të thotë se ato nuk guxojnë me asgjë dhe nga askush të imponohen e të kontrollohen dhe gjithashtu gjithmonë në bazë rregullave demokratike e as me asgjë të kufizohen. Rregullat e lojës demokratike përcaktojnë se Liria dhe barazia mund të kufizohen vetëm në ato raste kur ato fillojnë të bëhen kërcënim për liritë dhe barazitë e individëve tjerë. Me veprimet e lartë përmendura forcat politike mundohen që individit ti japin rol sa më të kufizuar dhe të ngushtuar shoqëror duke e larguar vëmendjen e tij sa më larg problemeve reale shoqërore, duke tentuar që atë ta shtyjnë në një skaj të shoqërisë me qellim që të njëjtin ta detyrojnë që të merret vetëm me vetveten e tij dhe me problemet jetësore që i ka i njëjti në shoqëri. Politikanët në përpjekjet e tyre për të siguruar përkrahje sa më të sigurt dhe qëndrim sa më të gjatë në pushtet mundohen që individit t’ia shmangin përgjegjësinë dhe mundësinë që ai vet të gjykoj dhe te vendos se cilat janë vlerat më të mira dhe më të përshtatshme shoqërore të cilat ai duhet ti përfillë dhe përkrahë ai. Me këtë ata po tentojnë të kryejnë sulm mbi parimet themelore të liberalizmit duke tentuar që individit t’ia kufizojnë lirinë individuale dhe te njëjtin ta bëjnë të varur e ta shndërrojnë në dëgjues të mirë pa kurrfarë mundësie kundërshtimi të botëkuptimeve dhe koncepteve politike të politikanëve. Forcat politike me këto veprime gjithashtu po mundohen ta imponojnë konceptin e jetës politike në të cilin ka shumë pak hapësirë për participim demokratik dhe zhvillim individual e kolektiv të individit. Tentimi i tyre është që të afirmojnë koncept sa më të ngushtë të demokracisë duke e paramenduar atë vetëm si mjet apo dhe metodë për zgjedhjen e atyre që vendosin në politikë dhe asgjë më shumë. Politikanëve ka filluar më të mos u interesojnë kushtet e lirisë individuale dhe të njëjtët me shumë lëvizje e veprime po mundohen ti bëjnë nëpër këmbëza kulturës liberale politike duke u munduar që ta mohojnë me këtë rast edhe lirinë e zgjedhjes dhe lirinë që individëve të veprojnë ndryshe. Me këtë ata duan të thonë se jo që nuk duan por në këtë kohë të komplikuar nuk është e mundur qe të ruhen as të mbjellat themelore të liberalizmit. Ndërsa pa to Demokracia është shndërruar në një truall në të cilin kanë mbirë thera e jo në hapësirë ku do të zhvillohen liria dhe barazia që do të shërbenin si ushqim i rëndësishëm shpirtëror për individët përmes të cilave do të mundësohej zhvillimi dhe përparimi i lirë i të gjithë individëve në shoqëri. Këto pra janë parimet dhe aktet që e karakterizojnë Demo-kontroll-kracinë si variante dhe nën model tepër i keq e i shëmtuar i demokracisë.

Go to TOP