Demaj: E ardhmja e Kosovës në duart e ish-nxënësve të gjimnazit “Xhevdet Doda”

Kosova ndodhet në kulmin e fushatës zgjedhore, ku partitë politike po përpiqen të bindin qytetarët për një të ardhme më të mirë. Por një fakt i veçantë shfaqet këtë herë: liderët e tri partive kryesore në vend, Albin Kurti (LVV), Memli Krasniqi (PDK) dhe Lumir Abdixhiku (LDK), janë ish-nxënës të Gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë.

Mikel Demaj, një ish-profesor i matematikës në këtë shkollë për më shumë se 15 vite, thotë: “Ata që kanë kaluar nëpër bankat e kësaj shkolle dhe ata që kanë pasur fatin të jenë mësimdhënës këtu e dinë se ky fakt nuk është rastësi. Është rezultat i përkushtimit të jashtëzakonshëm dhe punës së madhe që është bërë për dekada në këtë institucion.”

Përveç liderëve kryesorë, shumë ish-nxënës të tjerë të kësaj shkolle janë përfshirë në listat zgjedhore të partive të ndryshme.

“Vlora, Urani, Elmira, Berati, Mensuti, Abelarti, Arbeni… dhe shumë të tjerë. Këta janë vetëm disa nga emrat që po i japin ngjyrë dhe energji politikës së sotme kosovare. Lista është e gjatë dhe kontributi i tyre përforcon bindjen për vlerat e shkollës,” shton Demaj.

Gjimnazi “Xhevdet Doda” ka një histori të veçantë në arsimimin dhe edukimin e brezave. Në vitin 1992, ishte shkolla e parë në Kosovë që nisi mësimin nëpër shtëpi-shkolla, një veprim që simbolizon rezistencën dhe përkushtimin për arsimimin në kushte të jashtëzakonshme.

“Nxënësit tanë jo vetëm që janë përgatitur akademikisht, por janë edukuar me ndjenjën e përgjegjësisë për të marrë përsipër sfida kur populli dhe atdheu e kërkojnë,” kujton Demaj.

Në këtë frymë, ai bën një apel për të gjithë kandidatët dhe votuesit: “Kosova ka arritur këtu falë unitetit të popullit shqiptar dhe ndihmës së madhe të miqve tanë, me Amerikën në krye. Gjithçka që dëmton këtë unitet, miqësitë tona ndërkombëtare dhe besimin e tyre ndaj Kosovës, është një rrugë e gabuar.”

Ai përfundon me një mesazh optimist: “Uroj të fitojnë ata që dinë të ruajnë unitetin kombëtar, miqësitë dhe besimin me aleatët tanë, duke pasur një vizion të qartë për një Kosovë demokratike dhe të zhvilluar. Gjimnazi ‘Xhevdet Doda’ është krenar për ta dhe për të gjithë ata që përpiqen për të ardhmen e vendit.”

Kjo shkollë, qëndron si dëshmi e fuqisë së arsimit cilësor dhe e rolit të tij në formësimin e liderëve të vendit. E ardhmja e Kosovës, siç duket, është në duart e “Xhevdetodasve”. /Kosova.info/


Go to TOP