Delegacioni i Klubit të Biznesit të Kosovës takime në DASH: Diskutuam forcimin e marrëdhënieve ekonomike e diplomatike me SHBA-në

Ditën e sotme, Klubi i Biznesit të Kosovës ka realizuar një takim me zyrtarët e Departamentit Amerikan të Shtetit, ku në fokus ka qenë forcimi i marrëdhënieve ekonomike dhe diplomatike mes dy shteteve.

Në njoftimin e bërë në Facebook nga Klubi i Biznesit të Kosovës, thuhet se në takim kanë theksuar rolin e rëndësishëm të sektorit privat në nxitjen e rritjes ekonomike dhe stabilitetit në rajon.

“Sot, Klubi i Biznesit të Kosovës pati një takim shumë të frytshëm me zyrtarët e Departamentit të Shtetit. Diskutimet tona u përqendruan në forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe diplomatike midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Ne trajtuam rolin e rëndësishëm të sektorit privat në nxitjen e rritjes ekonomike dhe stabilitetit rajonal”, thuhet në njoftim.

Poashtu, në këtë takim kanë falënderuar DASH-in për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe është theksuar rëndësia e mbështetjes së ShBA-së në integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike.

“Gjithashtu, u theksua rëndësia e mbështetjes së SHBA-së për integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike, një hap thelbësor për sigurinë dhe prosperitetin e rajonit. Ne jemi të bindur se partneritetet e reja do të sjellin përfitime të mëdha për të dy vendet tona. Faleminderit Departamentit të Shtetit për mbështetjen dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm për përmirësimin e marrëdhënieve SHBA-Kosovë. Së bashku, ne mund të ndërtojmë një të ardhme më të ndritur dhe më të sigurt”, thuhet tutje në njoftimin e Klubit të Biznesit në Facebook, pas takimit që patën me zyrtarët e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Go to TOP