Delegacionet e Rusisë, Ukrainës dhe Turqisë do të takohen për eksportet e drithit

Delegacionet ushtarake nga Rusia, Ukraina dhe Turqia do të takohen me përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara më 13 korrik për të diskutuar për eksportin e sigurt të drithërave ukrainase, që janë bllokuar për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Takimi do të mbahet në Stamboll, bëri të ditur më 12 korrik ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar.

Një ditë më herët, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, diskutoi për drithërat ukrainase gjatë bisedave të ndara telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin, dhe atë ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Ukraina dhe aleatët e saj po kërkojnë që të rihapen portet e saj në Detin e Zi, që sipas Kievit janë mbyllur për shkak të bllokadës ruse.

Shtetet perëndimore kanë rritur kërkesat e tyre për rihapjen e porteve dhe lejimin e dërgesave të drithit, veçanërisht në shtetet e Lindjes së Mesdhe dhe Afrikës të cilat varen nga drithi ukrainas për të ushqyer popullatën e tyre.

Erdogan i tha Putinit se është koha për të ndërmarrë veprime sa i përket një plani të OKB-së për krijimin e korridoreve të sigurta në Detin e Zi për eksportet e drithërave. Ai po ashtu përsëriti qëndrimin se duhet të negociohet dhënia fund e luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.

Ndërkaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha përmes Twitterit se ai e vlerëson ndihmën e Erdoganit sa i përket rinisjes së eksporteve të drithërave dhe shtoi se Rusia duhet të ndalojë së marri drithin e Ukrainës nga territoret e pushtuara.

Comments

Be the first to comment on this article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Go to TOP