Deklarata e ministreshës serbe dhe ku janë institucionet e Kosovës!
Shkruan: Hasan RAShITI
Deklarata e ministreshës së Serbisë, e cila ka thënë se, po të kisha qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën, nuk është një gafë politike. Është një deklaratë e rëndë, që glorifikon një politikë gjenocidale dhe nxit urrejtje etnike.
Kjo është një deklaratë që normalizon dhe justifikon një ideologji që prodhoi krime lufte, spastrim etnik dhe vuajtje të panumërta për popullin e Kosovës.
Është domethënëse se edhe opozita në Serbi ka kërkuar shkarkimin e saj. E kjo tregon se deklarata është e papranueshme edhe sipas standardeve të një pjese të politikës serbe. Pikërisht për këtë arsye, heshtja e institucioneve të Republikës së Kosovës është e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme.
Qeveria e Kosovës e ka për detyrim moral, kushtetues dhe shtetëror të reagojë menjëherë. Nuk mjafton të flitet për sovranitet dhe dinjitet në raste të zakonshme, ndërsa të heshtet kur një zyrtare e lartë e një shteti fqinj shpreh publikisht gatishmëri për të kryer spastrim etnik ndaj shqiptarëve.
Kjo nuk është vetëm një fyerje ndaj viktimave të luftës, por është një cenim i drejtpërdrejtë i paqes dhe sigurisë në rajon dhe i vlerave mbi të cilat ndërtohet rendi demokratik evropian.
Në rrethana të tilla, Kosova do të duhej të kërkonte reagim të menjëhershëm nga Bashkimi Evropian, NATO, Këshilli i Evropës, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.
Deklaratat që glorifikojnë ose justifikojnë spastrimin etnik të një vendi nuk mund të trajtohen si retorikë politike. Ato duhet të dënohen pa asnjë dilemë nga bashkësia ndërkombëtare.
Po aq shqetësuese është edhe heshtja e opozitës në Kosovë dhe e organizatave të dala nga lufta.
Opozita në Kosovë ekziston për ta mbajtur përgjegjëse Qeverinë, por edhe për ta mbrojtur interesin shtetëror. Kur sulmohet dinjiteti i Kosovës dhe relativizohen krimet e kryera ndaj shqiptarëve, nuk duhet të ketë heshtje dhe as kalkulime partiake. Në çështje të tilla, zëri i institucioneve duhet të jetë i përbashkët.
Heshtja nuk është maturi diplomatike. Heshtja krijon përshtypjen e mungesës së vendosmërisë për të mbrojtur të vërtetën historike dhe dinjitetin e shtetit. Nëse nuk reagojnë ndaj deklaratave të tilla, që justifikojnë spastrimin etnik, atëherë rrezikojnë të normalizojnë një diskurs që Evropa e ka dënuar prej kohësh.
Kosova nuk kërkon privilegje. Kërkon respektimin e së drejtës ndërkombëtare, të së vërtetës historike dhe të dinjitetit të viktimave. Çdo deklaratë që lavdëron ose justifikon politikat kriminale të regjimit të Millosheviqit duhet të dënohet pa ekuivok, ndërsa autorët e saj duhet të mbajnë përgjegjësi politike.
Kjo nuk është çështje e një partie apo e një qeverie. Është çështje e dinjitetit të Republikës së Kosovës, e kujtesës së mijëra viktimave dhe e përgjegjësisë sonë për të mos lejuar që gjuha e urrejtjes dhe e spastrimit etnik të bëhet pjesë e normalitetit politik në Ballkan.
Kur edhe opozita në Serbi e dënon një deklaratë të tillë, ndërsa institucionet e Kosovës heshtin, lind pyetja e pashmangshme: kush po e mbron më shumë dinjitetin e viktimave të luftës – ata që e dënojnë gjuhën e urrejtjes në Beograd, apo ata që zgjedhin heshtjen në Prishtinë?
