Deficit i lartë tregtar i mallrave në Kosovë për muajin tetor

Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 13% në muajin tetor 2022, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2021, përkatësisht në vlerë prej 402.3 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 355.9 milionë euro në vitin 2021, ndërsa eksporti mbulon importin me 17.7%.
Në raportin më të ri të Agjencisë së Statistikave të Kosovës bëhet e ditur se eksporti i mallrave në muajin tetor 2022 kishte vlerën 86.4 milionë euro, ndërsa importi 488.7 milionë, që është një rritje prej 19.1% për eksport dhe 14.1% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 20.7% e përbëjnë produktet minerale; 18.5% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 14.9% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 13.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7.1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.3% produktet bimore, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.8% e përbëjnë produktet minerale; 11.8% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.2% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.2% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7.6% e përbëjnë mjetet e transportit; 6% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 37.7 milionë euro ose rreth 43.7% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 65.5%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë Sllovenia (14.1%), Gjermania (10.1%), Italia (5.4%), Holanda (3.3%), etj.

Ndërkaq, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 203.3 milionë euro ose 41.6% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 15.7%.

Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (10.6%), Greqia (4.8%), Italia (4.7%), Belgjika (4%), etj.

Në muajin tetor 2022, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 28.5 milionë euro ose 33.1% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 18.4%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin Maqedonia e Veriut (12.9%), Shqipëria (8.7%), Serbia (6.4) dhe Mali i Zi (4%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin tetor 2022, arritën në 83.2 milionë euro ose 17% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej 7.9%.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Serbia (7%), Shqipëria (4.4%), dhe Maqedonia e Veriut (4%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 20 milionë euro ose 23.2%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden SHBA (9.4%) dhe Zvicra (8.5%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 202.1 milionë euro ose 41.4%.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (15.4%) dhe Kina (10%).

Go to TOP