Deda: Në vend të reflektimit, Kurti po vazhdon me gjuhë polarizuese dhe strategjinë e dështuar “gjithçka apo asgjë”
Analisti politik Ilir Deda ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike në vend duke vlerësuar se në këtë moment Kosova kishte nevojë për një reflektim të thellë politik, i cili, sipas tij, po mungon nga ana e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Sipas Dedës, reflektimi i domosdoshëm do të kishte përfshirë disa mesazhe të qarta dhe të përgjegjshme: kërkim falje ndaj votuesve për llogaritjet e gabuara mbi shumicën parlamentare, pranim të përgjegjësisë për dështimin në ndërtimin e koalicionit qeverisës, si dhe zotim për fundin e gjuhës polarizuese dhe për një fillim të ri politik.
Ai ka theksuar gjithashtu se Kurti do të duhej të shtrinte dorën e bashkëpunimit ndaj të gjitha partive pas zgjedhjeve të dhjetorit, sidomos për sigurimin e shumicës së nevojshme për zgjedhjen e një presidenti unifikues.
“Do të ishte e arsyeshme që të gjitha partitë politike të dakordoheshin për miratimin e buxhetit të vitit 2026 dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, në mënyrë që vendi të mos zhytet më thellë në krizë,” ka theksuar Deda.
Megjithatë, ai ka kritikuar se në vend të këtij reflektimi, Kurti po vazhdon me sulme dhe shantazhe ndaj LDK-së, ndërsa partitë e tjera, si PDK-në, po i trajton si armiq politikë.
“A e di që këto parti janë të popullit të njëjtë me të tijën? Në vend të reflektimit që do t’ia shihte hajrin e gjithë Kosova, ai po e zgjedh përsëri polarizimin, me të njëjtën strategji të dështuar ‘gjithçka apo asgjë’,” ka përfunduar Deda. /Kosova.info/
