Deda: Krizat po vetëgjenerohen për kontroll absolut, mungon vullneti për president konsensual

Analisti politik Ilir Deda ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend duke ngritur dilema për mungesën e konsultimeve serioze rreth zgjedhjes së presidentit dhe krijimit të një koalicioni qeverisës.

Sipas Dedës, bisedimet për një qeveri të përbashkët mes Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të duhej të zhvilloheshin më herët, konkretisht gjatë muajve janar dhe shkurt, periudhë në të cilën, sipas tij, mund të ishte mbyllur edhe çështja e presidentit/es.

Ai kritikon qasjen aktuale politike duke theksuar se mungon vullneti për një proces të mirëfilltë politik për zgjedhjen e një presidenti konsensual, si dhe për krijimin e një qeverie funksionale dhe të suksesshme.

Deda shton se krizat e vazhdueshme politike nuk janë të rastësishme, por të vetëgjeneruara, me synimin për të ruajtur kontrollin absolut. Sipas tij, qëllime të tilla në një shoqëri me kapacitet demokratik përfundimisht ndëshkohen nga qytetarët. /Kosova.info/


Go to TOP