Costa: E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka uruar Kosovën në Ditën e Evropës, duke thënë se vendi i saj është në Bashkimin Evropian.

“Të dashur qytetarë të Kosovës, po ju drejtohem sot si anëtarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian. Në Ditën e Europës, ne festojmë projektin tonë të përbashkët europian, kur anëtarët tanë themelues zgjodhën unitetin mbi ndarjen dhe bashkëpunimin mbi konfliktin. Ata vendosën të ndërtojnë një të ardhme paqeje, lirie dhe prosperiteti mbi hirin e Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë Costa.

Ai shtoi se Kosova ndan të njëjtin destinacion me vendet e rajonit drejt BE-së.

“Ne besojmë se e ardhmja juaj është në Bashkimin Europian. Po bëhet shumë punë e madhe që kjo të ndodhë. Ju ndani të njëjtin destinacion me pjesën tjetër të rajonit – Bashkimin Europian. Vazhdoni të punoni që kjo të realizohet. Së bashku, do të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët evropiane. Rroftë Europa!”, u shpreh ai. 

Deklarata e 9 majit e vitit 1950 është koha kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian.

Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për t`i bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut, që do të ishte themeli i parë konkret për një federatë të ardhshme evropiane.

Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën. Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni evropian mbi kombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake.

Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si Dita e Evropës.

Kjo ditë tashmë ka vite që festohet edhe në Kosovë, ku për nder të saj, do të organizohen aktivitete të ndryshme nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.


Go to TOP