Çitaku sulmon Kurtin: Qasje primitive dhe pa vizion strategjik
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti duke e cilësuar qasjen e tij si “tragjike dhe qesharake”.
Sipas Çitakut, Kurti ka lënë vendin pa zgjidhje konkrete, pa aleatë të konsoliduar dhe pa njohje të reja ndërkombëtare, ndërsa, siç thotë ajo, “sillet si profesor i gjeopolitikës”. Ajo vlerëson se Kosova po paguan çmimin e një politike që e konsideron primitive, provinciale dhe ideologjike ndaj botës.
Në reagimin e saj, Çitaku thekson se vendi përballet me mungesë funksionaliteti institucional duke përmendur mungesën e një presidenti funksional dhe të një kryeprokurori të emëruar, si dhe ngecjen në proceset integruese si anëtarësimi në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Ajo shton se Kosova përballet gjithashtu me sfida të theksuara ekonomike dhe sociale, përfshirë mungesën e sigurisë energjetike, inflacionin e lartë dhe rritjen e emigrimit të të rinjve.
“Shteti nuk mbahet me poza morale, as me ligjërata boshe për konsum partiak. Shteti mbahet me urtësi, aleanca dhe vizion të qartë për interesin kombëtar”, ka deklaruar Çitaku duke shtuar se qeveria aktuale, sipas saj, nuk e ka dëshmuar këtë qasje. /Kosova.info/
