Çfarë dihet për rastin e faturave fiktive në ATK?

Dymbëdhjetë zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovë (ATK) janë arrestuar më 9 janar gjatë një aksioni të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe hetuesve të Drejtorisë së Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës. Ata dyshohen për mashtrim në detyrë.

Prokurori i Shtetit ka bërë të ditur të martën se ndaj zyrtarëve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Ata dyshohet të jenë përfshirë në një rast me tre pronarë biznesesh, të cilët duke përdorur dokumente të rrejshme dhe shmangie nga tatimi, ishin gati të dëmtonin buxhetin e shtetit të Kosovës në vlerë prej 2.8 milionë eurosh. Një prej këtyre personave është arrestuar të martën, ndërsa dy të tjerë janë në kërkim.

Prokuroria ka bërë kërkesë pasditen e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit për 13 të arrestuarit, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

Administrata Tatimore e Kosovës nuk ka reaguar lidhur me këtë rast dhe zëdhënësja Valentina Bytyçi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo është për arsye se ende, sipas saj, nuk kanë pranuar nga Prokuroria asnjë shkresë me emrat e zyrtarëve të dyshuar.

Si erdhi deri tek arrestimi i tyre?

Prokuroria tha se të pandehurit kishin pranuar në institucionin e ATK-së 23 fatura fiktive nga një pronar biznesesh në Prizren, i identifikuar me iniciale F.P.

Ky i fundit, sipas Prokurorisë, kishte aplikuar për rimbursim nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) me fatura fiktive që arrinin vlerën prej 18 milionë eurosh.

Rimbursimi pastaj do të bëhej në vlerë prej 2.8 milionë eurosh.

Policia arrestoi të martën edhe të dyshuarin F.P – pronar i tri bizneseve në Prizren.

Të mërkurën, Radio Evropa e Lirë bisedoi me Valdrin Gashin, avokat i cili po e mbron të pandehurin, dhe ai konfirmoi se bëhet fjalë për Feim Pulajn, pronar i hotelit “Lakeside” në Vërmicë të Prizrenit.

Gashi konfirmoi se të martën janë kryer bastisje në shtëpinë e Pulajt, veturën dhe hotelin e tij.

Në mbrëmje vonë, tha ai, është dhënë deklarata në Policinë e Kosovës ndërsa tani janë në pritje të një njoftimi nëse do të caktohet seanca për paraqitje në gjykatë.

Sipas Prokurorisë, zyrtarët tatimorë ia kishin njohur si të rregullta faturat Feim Pulajt, “kinse për ndërtimin e një hoteli, i cili veçse ka qenë i ndërtuar më parë”.

Aksioni i autoriteteve kosovare është zhvilluar në Prizren dhe Podujevë dhe sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, të arrestuarit dyshohen për kryerjen e tri veprave penale: “Mashtrim në detyrë”, “Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi”.

Ku i kishte siguruar pronari i hotelit faturat fiktive?

Prokuroria tha se dy persona të tjerë, B.B dhe B.B – pronarë të një biznesi në Podujevë – kanë vënë në dispozicion faturat për F.P – biznesmenin nga Prizreni që avokati i tij e identifikoi si Feim Pulaj.

Autoritetet e rendit vazhdojnë të kërkojnë edhe dy personat, të cilët dyshohet se bashkë kanë kryer veprat penale “Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi”.

Si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimbursimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milionë eurosh.

Pavarësisht se faturat e paraqitura ishin fiktive, aplikimi i pronarit të biznesit për rimbursim për TVSH, ishte pranuar.

Por, Prokuroria tha procedura është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve.

Zyrtarët tatimorë të përfshirë në këtë rast, sipas Prokurorisë, janë: M.Z., N.B., S.T., A.J., M.R., M.Z., M.B., G.Gj., A.P., V.K., A.R., Xh.H.

Çka u konfiskua gjatë aksionit?

Armë e pajisje të tjera u gjetën dhe u konfiskuan gjatë aksionit të 9 janarit.

Batisjet kryesore u kryen në dy lokacione, në Prishtinë dhe në Prizren.

Gjatë kontrolleve në objektet e personit me inicialet F.M, sipas Prokurorisë, u gjetën dhe u konfiskuan armë, prej tyre tri të gjata dhe tri të shkurta.

Po ashtu, u konfiskuan pajisje elektronike, telefona dhe prova të tjera materiale.

Dënimet sipas Kodit Penal të Kosovës

“Mashtrimi në detyrë” është vepër penale e dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës, e përcaktuar me nenin 419.

Gjobë dhe dënim me burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet parashihet në rastet kur me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, dikush bën krijimin, përdorimin ose prezantimin e rremë të raportit të llogarive “apo në ndonjë mënyrë tjetër e vë në lajthim personin e autorizuar, për kryerjen kundërligjshëm të pagesës ose transferit të parave, pasurisë ose të drejtave tjera”.

Ndërsa, dënim me deri në tetë vjet burgim shqiptohet kur vepra penale është në vlerë pasurore mbi 5.000 euro, derisa për shumën mbi 50.000 euro parashihet burgim deri në dymbëdhjetë vjet.

Pika tjetër e këtij neni parasheh dënim me gjobë ose burgim prej një deri në tetë vjet për personin që me qëllim të kryerjes, fshehjes ose maskimit të një vepre penale, “krijon ose përdor një faturë ose ndonjë dokument tjetër kontabël ose regjistrim që përmban informata të rrejshme ose jo të plota, ose heq dorë nga regjistrimi i pagesës”.

Dënime me gjobë dhe me burgim nga tre deri në tetë vjet parashihen edhe për personat që përdorin dokumente të rrejshme lidhur me tatimin.

Përdorimi i faturave fiktive dënohet me deri tre vjet burgim e “nëse vepra penale është kryer për të shmangur pagesën e tatimit prej 15.000 eurosh apo më shumë, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet”.

Në rastet kur vepra e tejkalon shumën prej 50.000 euro, dënimi përveç me gjobë, është edhe me burgim deri në tetë vjet.

Për shmangie nga tatimi, parashihen dënime me gjobë dhe me burgim deri në katër vjet, varësisht nga shuma e përdorur.

Për shembull, nëse tejkalohet shuma prej 15.000 eurosh, parashihet dënimi nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim, ndërsa për shumën prej 50.000 euro parashihet dënim, përveç me gjobë, edhe me burgim një deri në tetë vjet.

Go to TOP