Çeku: Vizitat e fshehta të Dejona Mihalit në AKI, dyshime për manipulim të informacionit dhe cenim të sigurisë kombëtare
Në një hulumtim të fundit nga Fitim Çeku, gazetar i njohur për raportimet e tij të thelluara, është zbuluar një seri takimesh të dyshimta që Dejona Mihali ka kryer në objektin e AKI-së.
“Më 22 shkurt 2023, rreth orës 21:40, Mihali u takua me zyrtarë të AKI-së, duke u nisur nga Dardania në drejtim të Fushë Kosovës në vetura zyrtare të AKI-së. Rreth orës 22:00 Dejona Mihali e shoqëruar nga dy vetura me targa 01 401 ** dhe 01 389** hyjnë në objektin e AKI-së. Ajo qëndroi rreth 20 minuta në ambientet e agjencisë, ndërsa më vonë u largua dhe u pa në rrugën “Luan Haradinaj” duke shkuar drejt objektit të OSBE-së me një çantë të dyshimtë në dorë, të cilën burimet e zbuluan se përmbante dokumente të manipuluara për mediat dhe shoqërinë civile”, ka shkruar Çeku në profilin e tij në facebook.
Sipas burimeve të Çekut, një pjesë e këtyre dokumenteve dyshohet se synojnë figura të njohura të medias në Kosovë, ndërsa burimi i tyre është një individ i lidhur me shërbimet serbe dhe ruse, që tani është përdorur si burim sigurie për AKI-në.
“Dokumentet e dyshimta u përcollën më tej në autoritetet financiare dhe ATK, me qëllimin e një hetimi për financimin e mediave, për të krijuar një narrativë hetimore për lidhje të mundshme me Serbinë dhe persona si Milan Radojiciqi”, ka shkruar ai.
Gazetari Fitim Çeku ka denoncuar këtë çështje te Prokuroria Speciale, ndërsa pritet që zhvillimet të hedhin dritë mbi këto veprime që kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe lirinë e medias në Kosovë. /Kosova.info/
