Çeku: Kapet ngarkesa me armë në kufirin Bullgari-Maqedoni, dyshohet lidhja me mafien turke dhe përfshirja e Kosovës

Sonte në kufirin Bullgari-Maqedoni është ndaluar një maunë që po transportonte armë të konsiderueshme, ndërkohë që dyshohet se ajo po përdorej për trafik ndërkombëtar me destinacion Poloninë. Kështu ka njoftuar gazetari hulumtues Fitim Çeku, përmes profilit të tij në Facebook.

“Ngarkesa përfshinte rezerva shtetërore të Kosovës, duke ngritur dyshime të thella mbi një skemë të sofistikuar të mafias turke të narkotrafikut. Sipas burimeve, armët ishin të destinuara për t’u shitur në Ukrainë, duke përdorur Kosovën si pikë transiti dhe mbulesë institucionale”, ka shkruar ai.

Çeku ka shkruar se, operacioni i ndalimit është kryer me bashkëpunimin e Interpolit dhe Inteligjencës së NATO-s, të cilat po hetojnë rolin e mundshëm të aktorëve kosovarë në këtë rast.

“Kjo situatë ngre pikëpyetje mbi transparencën dhe sigurinë institucionale në Kosovë duke përfshirë akuzat për përfshirje të mundshme të zyrtarëve të lartë, si Kryeministri Albin Kurti dhe Ministrja Rozeta Hajdari”, ka shkruar ai.

Burimet e gazetarit sugjerojnë se, Prokuroria Speciale e Kosovës mund të marrë në pyetje Kurtin dhe zyrtarë të tjerë lidhur me këtë rast. /Kosova.info/


Go to TOP